Afatet për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar ndryshimet e fundit në lidhje me afatet rreth regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, duke ofruar dy afate për paraqitje në muajin qershor, transmeton Portalb.mk.

“Konkurrimi i parë dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet më 20 qershor 2023  deri në ora 24:00, dhe më 21 qershor 2023 deri në ora 15:00. Lista preliminare e renditjes së nxënësve të regjistruar publikohet më 22 qershor 2023 në https://e-uslugi.mon.gov.mk dhe në ueb faqen ëëë.mon.gov.mk më së voni deri në ora 09:00”, raportoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Dokumentet në shkolla do të dorëzohen më 22 dhe 23 qershor, ndërsa më 24 qershor do të publikohen rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira në ueb faqen e ministrisë. Testimi do të bëhet më 26 qershor, dhe po atë ditë do të publikohen rezultatet.

“Paraqitja e dytë e nxënësve do të bëhet më datë 27 qershor deri në orën 24.00 dhe më 29 qershor 2023 deri në ora 10:00. Lista e renditjes së nxënësve të regjistruar do të publikohet më 29 qershor 2023 në https://e-uslugi.mon.gov.mk dhe në ueb faqen www.mon.gov.mk.më së voni deri në ora 13:00”, raportoi Ministria, duke theksuar që dokumentet për këtë afat duhet të dorëzohen më 29 qershor dhe 30 qershor.

Më 1 korrik do të publikohet lista përfundimtare e nxënësve të pranuar në afatin e dytë dhe vendet e lira. Testi kualifikues do të bëhet më 3 korrik, kur do të bëhet edhe shpallja e rezultateve.

Nxënësit të cilët dërgohen në riprovime, provime të vitit, provim për avancim më të shpejtë mund të regjistrohen në shkollat ku do të mbeten vende të lira pas afatit të qershorit”, paralajmërojnë nga Ministria, ashtu që paraqitja e nxënësve do të bëhet me 21 gusht deri në orën 24:00, ndërsa renditja e listës përfundimtare për secilën shkollë do të publikohet më 23 gusht deri në ora 12:00.