Administrata Trump ia ndaloi Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë
Administrata e Donald Trump i ka ndaluar Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë, duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje me universitetin më të vjetër të Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Christie Noem, shkroi në X se qeveria kishte revokuar certifikimin e Programit Ndërkombëtar të Studentëve dhe Shkëmbimit të Harvardit si rezultat i dështimit të tij për të zbatuar ligjin.
“Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për të gjitha universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin”, shkroi ajo.
Harvard e quajti këtë veprim “të paligjshëm”.
Sipas të dhënave të universitetit, gati 7,000 studentë ndërkombëtarë u regjistruan në Harvard vitin e kaluar akademik, duke përbërë 27.2% të trupit studentor.
Qeveria amerikane muajin e kaluar kërcënoi Harvardin me ndalimin e pranimit të studentëve të huaj, pasi ky i fundit tha se nuk do t’i nënshtrohej kërkesave të Trumpit dhe ngriu 2.2 miliardë dollarë fonde federale për institucionin.
Shtëpia e Bardhë më parë i dërgoi Harvardit një listë kërkesash, që synonin luftimin e “antisemitizmit” në kampus. Këto përfshinin ndryshime në menaxhim, praktikat e punësimit dhe procedurat e regjistrimit. Harvard i hodhi poshtë kërkesat dhe akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po përpiqej ta vinte atë nën kontrollin e saj.