Abazoviç u sulmua në diskotekë, policia çan turmën me gaz lotsjellës

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç është përballur me një situatë të sikletshme mbrëmjen e shkuar në qytetin turistik të Budvës, raporton EN.

Mediet serbe raportojnë se kreu i qeverisë malazeze ka qenë i pranishëm në një nga diskotekat më të mëdha të Budvës, për të ndjekur nga afër koncertin e Dino Merlin, kur një person është afruar për ta qëlluar dhe ka lëshuar një sërë akuzash dhe ofendimesh në drejtim.

Në ato momente kanë ndërhyrë truprojat e kryeministrit për të larguar qytetarin e irrituar, por kjo gjë ka shkaktuar kaos në diskotekë.

Nga ky moment forcat e shumta të gardës dhe policisë ndërhynë me gaz lotsjellës në ambientet e brendshme të klubit duke evakuuar kryeministrin.

Por ky version i shpërndarë me shpejtësi mbrëmjen e djeshme nga mediet serbe, është hedhur poshtë zyrtarisht nga policia malazeze e cila deklaroi se kishte një shtytje nga disa persona dhe Abazoviç ishte duke ecur drejt daljes në atë moment.

Vetë Abazoviç ende nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me këtë ngjarje.