Peticion për ushqim falas për çdo nxënës nga arsimi fillor dhe i mesëm në Maqedoninë e Veriut

Mbi 4 700 nënshkrime deri më tani janë grumbulluar në peticionin e Shoqatës për Zhvillim Edukativ Ekvalis, për shujta falas për çdo nxënës nga arsimi fillor dhe i mesëm, transmeton Portalb.mk.

Me këtë peticion, nga Ekvalis deklaruan që kërkojnë prej Ministrisë për Arsim dhe Shkencë (MASH) të sigurojnë shujta falas për çdo nxënës nga çdo shkollë fillore dhe e mesme në gjithë territorin e shtetit.

Ushqim falas kërkohet për çdo nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën në arsimin fillor dhe për çdo nxënës nga viti i parë deri në të katërtin në arsimin e mesëm, sipas standardeve për ushqim të rregullt në shkolla. Më tutje, kërkojnë nga MASH-i të sigurojnë marrëveshje me Ministrinë për Financa dhe Ministrinë për Pushtet Lokal, në raport me sigurimin e mjeteve financiare për shujta falas për gjithë nxënësit.

Peticionin e kanë filluar një grup i aktivistëve të rinj nga qytete të ndryshme, me ndihmën e Ekvalis. Përkrah versionit onlajn, realizohet edhe mbledhja fizike e nënshkrimeve, ashtu që për një muaj peticionin e kanë nënshkruar mbi 1 500 qytetarë.

Në peticion theksohet që shujta falas ndër të tjera kërkohet edhe për atë se akoma ka nxënës që kanë turp të dalin në pushim të gjatë për shkak se nuk kanë para të mjaftueshme për të blerë ushqim, dhe për atë se “me barkun e zbrazët nuk mund të arrihet rezultat i mirë në mësim”.

Ata theksojnë që UNICEF rekomandon zbatimin e programit për ushqim falas nëpër shkolla, me qëllim që të zvogëlohet varfëria.