Përderisa lumenjtë Danub, Sava dhe Drava po shënojnë nivele rekord të ulëta të ujit, ndërsa disa vende evropiane po përballen me prodhim të zvogëluar të energjisë elektrike dhe problem gjatë lundrimit të anijeve, gjendja në Maqedoninë e Veriut për momentin është stabile. Ekspertët thonë se nivelet e ujit po bien për shkak të temperaturave të larta gjatë verës, por nuk ka indikacione për skenar si ai që po ndodh aktualisht në disa pjesë të Evropës Qendrore, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Por, mbetet pyetja nëse zgjatja e periudhës së thatë dhe valët e reja të të nxehtit do mund të krijonin probleme me furnizimin me ujë, nivelet e ujit dhe prodhimin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut.
Çfarë po ndodh në rajon?
Niveli rekord i ulët i ujit të Danubit po shkakton probleme në të gjithë rajonin. Në Serbi është zvogëluar prodhimi i energjisë elektrike në hidrocentrale, ndërsa lundrimi është vështirësuar për shkak të shtratit të cekët të lumit. Në Hungari termocentrali nuklear “Paksh” në çast të fundit e shmangu ndërprerjen e punës për shkak të niveleve të ulëta të ujit të nevojshme për ftohjen e reaktorëve.
Sipas kryeministrit hungarez Peter Magyar vendi ishte vetëm disa milimetra larg mbylljes të plotë të termocentralit, por rënia e nivelit të Danubit ndaloi në momentin e fundit. Edhe në Rumani ka presion mbi sektorin e energjetikës për shkak të rrjedhës së reduktuar të lumenjve.
Atanas Ugrinski: Në vendin tonë gjendja nuk është alarmante
Hidrologu Atanas Ugrinski nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike tha se këtë vit Maqedonia e Veriut ka gjendje hidrologjike më të mirë sesa shumica e vendeve në rajon.
“Kishim reshje të shiut dhe borës gjatë dimrit dhe pranverës, ndërsa në mars kishte edhe përmbytje në pjesë të caktuara të vendit. Pranvera ishte me shi, kështu që gjendja nuk është aq alarmante sa në disa pjesë të Evropës, ku preken Danubi, Rajna dhe lumenj të tjerë të mëdhenj”, tha Ugrinski.
Sipas tij, sinjal pozitiv është edhe rritja e nivelit të Liqenit të Prespës krahasuar me vlerat minimale të vitit të kaluar.
“Në periudhë të thatë vere është normale që nivelet e ujit të bien. Por nuk pres skenar dramatik si ai që po ndodh aktualisht në Evropën Qendrore. Për momentin nuk ka vend për shqetësim serioz”, shtoi ai.
Ugrinski thekson se këtë vit gjendja është më e mirë krahasuar me verën e kaluar kur kapaciteti i burimit Rashçe u zvogëlua shumë, gjë që shkaktoi probleme me furnizimin me ujë në Shkup.
“Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Dojranit janë në gjendje më të mirë se vitin e kaluar. Edhe akumulacionet kishin mbushje solide dhe ujë të mjaftueshëm për ujitje. Në periudhën e ardhshme nivelet e ujit do të bien, por pres që ato të mbeten mbi vlerat minimale të vitit të kaluar”, thotë Ugrinski.

Pozitive janë edhe të dhënat mbi furnizimin me ujë. Nga NP “Ujësjellësi dhe kanalizime” – Shkup informojnë se uji i pijshëm është i sigurt për shëndetin dhe i përmbush të gjitha standardet ligjore të cilësisë. Në periudhën nga 27 deri më 31 korrik përmes ekzaminimeve fizike, kimike dhe mikrobiologjike janë analizuar 390 mostra në 42 pika matëse në të gjithë Shkupin, me ç’rast të gjitha rezultatet tregojnë se uji është i sigurt për përdorim.
Profesoresha Cvetanka Popovska: Nuk duhet të presim që të kemi krizë
Profesoresha Cvetanka Popovska, eksperte e hidraulikës, hidrologjisë dhe menaxhimit të rrjedhave ujore dhe profesoreshë me përvojë shumëvjeçare në Fakultetin e Ndërtimtarisë, paralajmëron se shembulli i Danubit, Savës dhe lumenjve të tjerë të mëdhenj evropianë tregon se sa serioze mund të jenë pasojat e ndryshimeve klimatike. Prandaj, nevojiten masa në kohë dhe sistematike.
Popovska thotë gjërat varen jo vetëm nga menaxhimi i hidrocentraleve, por edhe nga menaxhimi i rrjedhave ujore pas tyre.
“Nëse më pyetni se sa mund të zgjasë kjo krizë mjafton ta shikoni gjendjen në Evropë. Kur Danubi arrin nivele të tilla, mund ta merrni me mend se çfarë do të thotë kjo. Bëhet fjalë për shtrat lumi që ka fluks prej rreth 15 mijë metrash kub në sekondë, krahasuar me Vardarin, i cili në përgjithësi është rrjedhë uji malore me fluks mesatar prej rreth 60 metrash kub në sekondë. Nëse Danubi mund të përballet me gjendje të tillë, si dhe Sava të shënojë nivele jashtëzakonisht të ulëta të ujit, atëherë rreziku është i madh për të gjithë lumenjtë”, thotë Popovska.
Ajo thekson se ndryshimet klimatike duhet të trajtohen në mënyrë preventive, e jo vetëm kur tashmë janë shfaqur pasojat.
“Ne duhet t’i respektojmë rekomandimet dhe parashikimet ekologjike. Nuk mund të rregullohet diçka që tashmë ka ndodhur. Ne duhet të veprojmë në mënyrë preventive. Kjo do të thotë t’i respektojmë planet e veprimit dhe programet kombëtare të përgatitura në përputhje me ndryshimet e pritura klimatike. Kur këto plane nuk zbatohen në kohën e duhur, atëherë do të ndodhë pikërisht ajo që po shohim sot”, thotë Popovska.
Sipas saj, shembulli me Danubin dhe Savën është paralajmërim që nuk duhet injoruar.
“Meqë Danubi dhe Sava arritën në gjendje të tilla, e ne e dimë që Danubi është një nga lumenjtë më të mëdhenj evropianë, mund të konkludohet se rreziqet klimatike po bëhen gjithnjë e më të theksuara dhe se vendet duhet të zbatojnë vazhdimisht masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, shton Popovska.

Viktor Andonov: Rreziku më i madh është thatësira rajonale afatgjatë
Sipas Viktor Andonov, ekspert për politikë energjetike, ngjarjet në Hungari dhe Serbi janë paralajmërim serioz për të gjithë rajonin, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut.
“Niveli rekord i ulët i ujit të Danubit njëkohësisht e kufizon prodhimin nga termocentralet nukleare, termocentralet dhe hidrocentralet, burime që për dekada të tëra janë konsideruar si pjesa më e qëndrueshme e sistemit elektroenergjetik. Kjo tregon se ndryshimet klimatike nuk janë më vetëm çështje ekologjike, por rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë energjetike. Prandaj, rezistenca klimatike duhet të bëhet pjesë integrale e planifikimit, menaxhimit dhe zhvillimit të sistemit elektroenergjetik”, tha ai.
Për Maqedoninë e Veriut një thatësirë e zgjatur dhe valë të reja të të nxehtit do të nënkuptonin prurje më të ulëta dhe presion më të madh mbi akumulacionet, mundësi për prodhim të reduktuar nga hidrocentralet dhe në të njëjtën kohë rritje të konsumit për ftohje dhe nevoja shtesë për energji elektrike.
“Është e rëndësishme të theksohet se deri në këtë periudhë për shkak të hidrologjisë së shkëlqyer në vendin tonë hidrocentralet e mëdha të menaxhuara nga EMV me siguri e kanë tejkaluar prodhimin vjetor të planifikuar në shtatë muajt e parë të vitit, që do të thotë se deri në fund të vitit prodhimi i planifikuar ka shumë të ngjarë të tejkalohet”, shton Andonov.
Duhet pasur parasysh se ne tashmë kemi hyrë në periudhë të ujitjeve dhe prurjeve më të ulëta sezonale. Kjo nuk është gjendje e papritur, por pjesë e planifikimit dhe menaxhimit të rregullt vjetor të akumulacioneve. Që gjatë dimrit, bazuar në mbulesën e borës, reshjet dhe karakteristikat e secilit pellg, mund të vlerësohet se cilat hidrocentrale do të kenë hidrologji më të mirë dhe sa do të jetë prodhimi.
“Prandaj, në këtë moment nuk duhet krijuar përshtypja se Maqedonia e Veriut po përballet me mungesë të energjisë elektrike. Është e nevojshme të menaxhohet me kujdes uji i akumuluar, të ruhet një pjesë e tij për periudhat e konsumit më të lartë dhe të përdoren hidrocentralet aty ku ato kanë vlerën më të madhe sistemike dhe të tregut”, tha bashkëbiseduesi.

Por, ai shton se zhvillimet në rajon tregojnë se në të ardhmen mbështetja vetëm në mesataret historike hidrologjike nuk do të jetë e mjaftueshme. Rreziku nuk qëndron tek ulja e pritur e rrjedhave gjatë verës, por në periudhën e thatë që zgjat më shumë se sa ishte planifikuar, në mungesën e reshjeve të vjeshtës ose në mundësinë që disa vende të përballen njëkohësisht me prodhim të reduktuar.
Andonov thotë se termocentralet fotovoltaike mund të ndihmojnë dukshëm gjatë ditës, sidomos në verë dhe deri në fund të shtatorit, por nuk mund ta mbulojnë vetë konsumin gjatë mbrëmjes. Pikërisht për këtë janë të nevojshme sistemet e baterive, hidrocentralet reverzibile, konsumi fleksibël, kapacitetet rezervë të besueshme dhe interkoneksionet më të fuqishme.
Rreziku më i madh është rajonal. Nëse thatësira në të njëjtën kohë e redukton prodhimin në Hungari, Serbi, Rumani dhe tregje të tjera fqinje, importet e energjisë elektrike mund të bëhen edhe më të shtrenjta dhe më të vështira për t’u arritur. Kapaciteti ndërkufitar nuk është garanci se do të ketë energji të mjaftueshme për import në kohën kur do ketë nevojë.
“Për Maqedoninë e Veriut gjëja më e rëndësishme është që të arrijmë në përfundimin se hidrologjia e mirë duhet të përdoret në mënyrë racionale, e jo të krijohet ndjenjë e sigurisë së përhershme. Nevojitet menaxhim i kujdesshëm i akumulacioneve, termocentraleve në dispozicion, prodhim më i madh nga termocentralet fotovoltaike dhe me erë, sistemeve të baterive dhe interkoneksione më të fuqishme rajonale”, thotë Andonov.
Sipas tij rezistenca klimatike nuk do të thotë se çdo thatësirë do të shkaktojë krizë energjetike. Do të thotë që sistemi duhet të përgatitet paraprakisht për situata që devijojnë nga planet sezonale dhe ato të prodhimit.
A do të ketë ndikim ndaj energjisë elektrike?
Nga Sh.A. EMV thonë se gjendja aktuale nuk paraqet rrezik për prodhimtarinë vendase të energjisë elektrike.
“Potenciali hidroenergjetik është në nivel të qëndrueshëm, me mbushje të përgjithshme të akumulacioneve prej rreth 70 përqind. Kjo na mundëson tu përgjigjemi plotësisht nevojave aktuale të furnizuesit universal brenda prodhimit të planifikuar”, theksojnë nga EMV.
Nga atje shtojnë se hidrocentralet vazhdojnë të kontribuojnë në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik duke ofruar shërbime sistemike për nevojat e Sh.A. MEPSO.
Edhe pse nivelet rekord të ulëta të ujit të Danubit, Savës dhe lumenjve të tjerë në rajon krijojnë probleme serioze për energjetikën dhe lundrimin, ekspertët vlerësojnë se Maqedonia e Veriut aktualisht ka gjendje hidrologjike të qëndrueshme. Por, ata paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe periudhat gjithnjë e më të shpeshta të thatësirës kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të burimeve ujore, akumulacioneve dhe sistemit energjetik që të shmangen rreziqet e ardhshme.