Ministri i Bujqësisë alarmoi se në Maqedoninë e Veriut bëhen keqpërdorime për përfitim të subvencioneve
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, në një intervistë për MIA zbuloi pretendime për, siç tha ai, keqpërdorime klasike të subvencioneve në vend, përmes përdorimit të matrikujve të veshit të kafshëve të ngordhura dhe paraqitjes së prodhimit në mënyrë joreale, transmeton Portalb.mk.
“Rreth 50 aplikues, kryesisht nga rajoni i Prilepit dhe Krivogashtanit, në sipërfaqe prej dy ose 2,5 dynymësh kanë deklaruar prodhim prej 10 deri në 11 tonësh duhan. Kjo është e pamundur. Edhe te delet dhe lopët, çfarë ndodh? Kemi keqpërdorim klasik të matrikujve të veshit me të cilët shënohet çdo kafshë. Kafsha ngordh, ndërsa pronarët thjesht e marrin matrikun, e ruajnë dhe vazhdojnë ta paraqesin kafshën për subvencione edhe pse ajo ka ngordhur dhe nuk ekziston më. Në një aksion jozyrtar që realizuam së fundmi, rezultoi se në dokumente kemi gati 400 mijë dele, ndërsa në realitet janë rreth 250 deri në 280 mijë. Bëhet fjalë për një dallim prej 100 deri në 130-140 mijë krerësh. Këto janë shuma të mëdha parash, duke pasur parasysh mbështetjen financiare që pronarët marrin për çdo dele – për mbarështim, qumësht etj. Tani, së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), po shqyrtojmë mundësinë që çdo kafshë të ketë një çip që mund të lexohet me një lexues të zakonshëm. Madje, nëse arrijmë deri aty, do të mund t’i ndjekim kafshët edhe me lokalizues GPS”, tha Serafimovski.
Ai shtoi se raste të keqpërdorimeve ka edhe gjatë grumbullimit të qumështit.
Ai vlerëson se kjo situatë mund të tejkalohet vetëm me kontrolle më të rrepta, por u bën thirrje edhe bujqve që të jenë maksimalisht të përgjegjshëm dhe të raportojnë prodhimin real.
“Po përpiqemi që përmes Inspektoratit dhe kontrolleve të Agjencisë për Mbështetje Financiare t’i zbulojmë këto raste dhe t’u japim fund këtyre parregullsive. Në këtë mënyrë keqpërdoren drejtpërdrejt subvencionet”, tha ai.
Sipas ministrit, e gabuar është edhe mënyra e zbatimit të subvencioneve, të cilat, siç theksoi ai, nuk duhet të kenë karakter social, por të shërbejnë për të nxitur rritjen e prodhimit në fazën fillestare.
Kujtojmë se pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.
Në nëntor të vitit 2025, pas zhvillimeve të fundit në Agjencinë për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Financa në Maqedoninë e Veriut njoftoi se janë ndërprerë pagesat e mjeteve nga programi IPA/IPARD.