A do të jetë dekada e ardhshme evropiane një dimër i gjatë rus?

Gjithmonë pas një konflikti të gjatë, ideja nëse paqja mund të arrihet shpejt dhe pa sakrifica ka qenë një pyetje kyçe gjatë dy shekujve të fundit. Apo sa mund të zgjasë një status quo? Kush do të jetë fituesi dhe humbësi? Këto pyetje na çojnë në një situatë ku vijat e frontit ose problemet e hapura mbeten në një “ngrirje të thellë gjeopolitike”, ku shtete të tilla si Ukraina, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj., mund të përballen me pasojat e një rendi të ashpër në ngritje. Situatat e pasluftës si gjithmonë imponojnë kushte të reja; këtu, edhe shtetet më të fuqishme të Evropës mund të bëhen të cenueshme nga fundi i luftës në Frontin Lindor dhe fillimi i mundshëm i paqes së përkohshme.

Megjithatë, le të sjellim disa shembuj konkretë nga ngjarjet e fundit. Antonio Costa, presidenti i Këshillit të Evropës, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës Vlodoymyr Zelenskyy për të të informuar mbi zhvillimet e fundit. “Nga ana e BE-së, ne jemi të vendosur fuqimisht të vazhdojmë me mbështetjen tonë gjithëpërfshirëse për Ukrainën”, sqaroi ai në një postim në X. “Në ditët në vijim, fokusi im do të jetë në përgatitjet për Këshillin e ardhshëm evropian, kur do të duhet të merret vendimi i rëndësishëm për sigurimin e financimit të Ukrainës për vitet 2026-27”, ka shkruajtur Costa në X. Presidenti i Ukrainës, Vlodoymyr Zelenskyy po ashtu në X njoftoi për dinamikën e bisedimeve për paqe.

“Përfaqësuesit ukrainas do të vazhdojnë diskutimet e tyre me SHBA-në, me ekipin e presidentit Tramp. Detyra jonë është të marrim informacion të plotë rreth asaj që u tha në Moskë, dhe çfarë pretekstesh të tjera ka shpikur Putini për të zvarritur luftën dhe për të ushtruar presion mbi Ukrainën. Ukraina është e përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm dhe sigurisht që ne do të punojmë sa më konstruktivisht të jetë e mundur me të gjithë partnerët për të siguruar që paqja të arrihet”. “Në fund të fundit, të jetë një paqe dinjitoze. Vetëm një paqe dinjitoze ofron siguri të
vërtetë dhe ne e kuptojmë plotësisht se kjo kërkon, dhe do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen e partnerëve tanë”, ka nënvizuar Zelenskyy në X. Në të njëjtën linjë apo atmosferë, presidenti i Finlandës Aleksander Stubb tha: “Finlandezët duhet të përgatiten për kushte të padrejta paqeje në luftën në Ukrainë. Realiteti është se paqja mund të jetë e mirë, e keqe ose një lloj kompromisi.”

Edhe pse shtetet evropiane poothujase për katër vite kanë folur me një zë rreth mbështetjes së Ukrainës e bisedimeve për paqe, Italia sipas mediave ka bërë një veprim të paqartë. Jo zytrarisht është njoftuar se Roma zyrtare po largohet nga programi “Purl”, përmes të cilit vendet e NATO-s blejnë armë amerikane për nevojat e Kievit. Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha se negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje janë duke u zhvilluar dhe Roma preferon të përqendrohet në diplomaci. Se sa shpejtë po tentohet të rënohet fronti evropian për një fitore ukrainase ndaj Rusisë, tregon edhe veprimi i fundit i Belgjikës.

Kryeministri i Belgjikës Bart De Wever, ka deklaruar se Rusia nuk do të mposhtet. “Asetet e ngrira financiare do të duhet t’i kthehen Kremlinit”.

Ai një një deklaratë për për gazetën “La Libre” tha se të flasësh për thyerjen e Rusisë është “një përrallë dhe një iluzion i plotë”. Sipas tij, askush seriozisht në Perëndim nuk beson në një skenar ku Moska do të dorëzojë asetet e saj. “Konfiskimi i aseteve ruse ka të ngjarë të shkaktojë hakmarrje të ashpër nga Moska”, ka thënë ai.

Sipas “Financial Times”, reagimet e fundit u bënë më të ashpra, pasi disa shtete evropiane, dhe zyrtarë të lartë në Bruksel, janë përpjekur të ndërmarrin aksione për të shfrytëzuar 210 miliardë euro asete të ngrira shtetërore ruse dhe për t’i kthyer ato në një kredi afatgjatë lufte për Ukrainën. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, rreth implantit ukrainas për raketa që u promovua në Danimarkë tha: “Kjo sipërmarrje konfirmon kursin absolut armiqësor dhe militarist të Kopenhagenit, i cili, së bashku me disa shtete të tjera më agresive ndaj Rusisë, po sabotojnë përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës ukrainase. E gjithë kjo mbart rreziqe për përshkallëzim të mëtejshëm”. Ambasadori i SHBA-së në NATO Matthew Whitaker tha se gati katër vjet lufte në Ukrainë nuk pati asnjë dialog të vërtetë midis palëve derisa presidenti Tramp ndërhyri si paqebërës. “Paqja është një proces, por vrasjet duhet të ndalen”. Ambasadori rus në Britani të Madhe, Andrei Kelin tha se Rusia mbështet një zgjidhje diplomatike, por nuk duam në kufirin tonë një shtet kukull të krijuar nga qeveritë perëndimore, armiqësor ndaj nesh, ku gjuha ruse diskriminohet dhe Kisha Ortodokse Ruse është përjashtuar. Sipas tij vendet evropiane nuk punojnë për paqen.

“Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë mbështetur vazhdimin e luftimeve. Industria e mbrojtjes vazhdon të funksionojë. Kjo është e dobishme për ekonomitë e tyre, kështu që ata nuk kanë nevojë të shpjegojnë se gabimi i tyre politik e çoi ekonominë e tyre në një gjendje të keqe”. Në ndërkohë që ekipi i Trampit është larguar nga Moska pa shenja se lufta mund të përfundojë së shpejti, dyshimet e qeverive më të fuqishme evropiane janë rritur.

Përkundër takimeve, presidenti Donald Tramp deklaroi se Ukraina nuk kishte karta. Dhe po sipas tij ishte atëherë momenti (shkurt 2025) për të bërë një marrëveshje. “Ata nuk e bënë, dhe ishte një gabim. Ata kanë shumë punë kundër tyre tani”, tha Tramp të enjten. Presidenti Tramp vazhdoi duke sqaruar se presidenti rus Vlladimir Putin kishte patur një takim dy ditë më parë me të deleguarit Jared Kushner dhe Steve Witkoff. “Putini dëshiron t’i
japë fund luftës. Të dërguarit Kushner dhe Witkoff mendojnë se ai do të preferonte të kthehej në një jetë normale, në tregti me SHBA-në në vend që të humbiste mijëra ushtarë çdo javë”. “Përshtypja e tyre e fortë ishte se ai dëshiron një marrëveshje”, tha Tramp.

Përderisa SHBA-ja është optimiste për një marrëveshje, Ukraina, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Finlanda e disa qeveri evropiane, kanë rezerva rreth planit amerikan dhe mënyrës së zhvillimit të takimeve me delegacionin rus. Andaj nuk besojnë shumë në një marrëveshje e cila do t’i jepte fund luftës, dhe do t’i kënaqte të dyja palët. Rusia është e vendosur që Donbasi dhe pjesët tjera të okupuara bashkë me Krimenë të mbeten nën Rusinë e të njihen ndërkombëtarisht. Sipas njoftimeve jo zyrtare, në vazhdim SHBA-të si presion ndaj Ukrainës dhe evopianëve e shohin mundësinë që gjatë 2026-tës t’i njohin zonat e okupuara nga Rusia.

Në frontin diplomatik palët mbeten të përkushtuara për paqe. Por nga ajo që vërehet është se asnjëra palë nuk është e gatshme as për paqe e as për luftë të përhershme, duke e lënë gjendjen në një status të ngrirë për një kohë të pacaktuar. Një pasqyrë e tillë e fatit të Ukrainës, dhe raporteve ndërkombëtare të forcave, tërthorazi do të reflektohej më gjerë, duke filluar nga Ballkani. Kështu kongresemenë amerikanë javën që lamë pas, kanë kërkuar më shumë angazhim të administratës së presidentit Donald Tramp, në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Kosovë, duke përfshirë dhe shtetet tjera të Ballkanit.

Duke i parë lëvizjet amerikane në Evropë, dhe bisedimet e fundit në Moskë, do të jetë e vështirë që të bëhet me shumë për evropianët dhe shtetet e Ballkanit. “Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së”, e publikuar në muajin nëntor të 2025-tës nga Shtëpia e Bardhë, tregon se shumë çështje, Uashingtoni do t’i lë në duar të evropianëve me një angazhim të lehtë në Evropë dhe në Ballkan. Sipas dokumentit, politika e Uashingtonit për Evropën vë në fokus disa çështje, duke filluar nga rivendosja e kushteve të stabilitetit brenda Evropës, dhe stabilitetit strategjik me Rusinë. Më tej në dokument thuhet se Evropa duhet të marrë përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen e saj. Një hapësirë i kushtohet hapjes së tregjeve evropiane për mallrat dhe shërbimet amerikane, duke ju siguruar trajtim të drejtë të punëtorëve dhe bizneseve amerikane. Në një paragraf, thuhet se SHBA-ja do të përpiqet për ndërtimin e kombeve të shëndetshme në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jugore përmes lidhjeve tregtare, shitjes së armëve, bashkëpunimit politik dhe shkëmbimeve kulturore dhe arsimore.

Pavarësisht këtij dokumenti, nuk ka ndonjë dilemë të madhe se gjendja e ngrirë në disa pjesë të botës, të mbetet për një kohë e tillë, duke i marrë në konsideratë veprimet e fundit jo vetëm të SHBA-së. Gjendja do të mbetet as në pozita të përparimit e as të kthimit prapa. Një gjendje e ngrirë tashmë është vendosur në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe në Maqedoni të Veriut. E ardhmja është e paqartë me zhvendosje të kapaciteteve për blloqe të reja në ngritje. Në këtë drejtim edhe pse Millorad Dodiku, është larguar nga presidenca serbe, ai vazhdon të mbetet njeriu më i fuqishëm midis serbëve. Njoftimet e fundit të mediave boshnjake tregojnë për një mbështetje nga jashtë që Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë-Hercegovinën Christian Schmidt (OHR), të dorëhiqet nga ky post.

Nuk ka dyshim se problemet në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë një pasqyrim i paqëndrueshmërisë në pjesën lindore të Evropës dhe presionit që vjen nga ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike. Nga ngjarjet e fundit përfitohet një bazë e mirë e parashikimit se si mund të duken 10 vitet e ardhshme në Evropë-nga Balltiku e deri në Ballkan. Në të gjitha zhvillimet në fushën e betejës në Ukrainë, si dhe në diplomaci dhe takime, shqetësimi kryesor vazhdon të mbetet vakumi strategjik në gjendjen e ngrirë të zonave të përfshira më parë nga konfliktet. Në situatën aktuale, ku shtetet evropiane nuk kanë gjasa të jenë në gjendje të bëjnë shumë ndaj Rusisë, me SHBA-në të përqendruar në Paqësor dhe Kinën që mbështet Rusinë, luftërat dhe çështjet e hapura, përfshirë edhe në Ballkan, kanë një shans mbi mesataren për të mos përfunduar me marrëveshje afatgjata.

Ndoshta do të duhet edhe një dekadë tjetër për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë për një paqe dhe siguri më të mirë. Zhvillimet e fundit në Ukrainë, në BE, në Ballkan dhe në rindërtimin e rendit të ri ndërkombëtar me një lëvizje drejt
një bote shumëpolare, më kujtojnë filozofin gjerman Immanuel Kant (1724-1804) dhe esenë e tij të famshme dhe me ndikim mbi teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare “Mbi Paqen e Përjetshme”, ku “paqja e përjetshme nuk lind nga dashuria, por nga mekanizmat që detyrojnë edhe shtetin më të egër të sillet sikur të donte paqe”. “Asnjë traktat paqeje nuk duhet të jetë bazë për luftë të ardhshme. Asnjë shtet nuk mund të fitohet nga një shtet tjetër përmes trashëgimisë, shkëmbimit, blerjes ose një dhurate, sepse shtetet nuk janë pronë”.

Kanti nënvizon më tej se “njerëzimi mund të arrijë paqe të qëndrueshme vetëm përmes një transformimi themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në parime morale”. Por, siç qëndrojnë gjërat aktualisht, nuk ka shumë për të thënë për moralin në politikën ndërkombëtare. Megjithatë, shtetet duhet të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të paktën për të arritur një paqe të përkohshme. Mes tingujve poetikë të dimrit rus në Donbas, fatit të shteteve të BE-së, Ballkanit etj., po bëhet e qartë se rasti i Ukrainës nuk do të shkojë tërësisht në favor të Kievit. Shfaqja e vijave të ngrira, padyshim, mund të shkojë në favor të Rusisë dhe mbështetësve të saj në Ballkan dhe
gjetkë. Megjithatë, dekadat e ardhshme do t’i sfidojnë të gjithë. Kjo mund të jetë faza e parë e shfaqjes së “gjeopolitikës së vijave të ngrira”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.