97 romëve iu ndanë certifikata nga programi për mbarimin e arsimit fillor
Instituti “Romalitiko” ditën e djeshme ndau 97 certifikata për romët e përfshirë në programin për mbarimin e arsimit fillor. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Universitetin e hapur “Vanço Përçe” në Shtip, transmeton Portalb.
Pjesëmarrësit në programin për mbarimin e arsimit fillor ishin romë nga 13 komuna: Radovish, Prilep, Shuto Orizare, Kërçovë, Koçan, Berovë, Shtip, Vinicë, Veles, Kumanovë, Strumicë, Çair, Tetovë, dhe për ta parashihet mbështetje përgjatë procesit të punësimit, informon Romalitiko.
Në aktivitetin e djeshëm u prezantuan rezultatet e disa granteve të vegjël dhe një grant më i madh aksionar, që të gjithë të ndërlidhur me të drejtat e komunitetit rom. Kështu që, shoqata “Bairska Svetlina” u mundësoi 100 të rinjve nga komuniteti rom të njihen me rreziqet e konsumimit të narkotikëve dhe substancave psikotropike. Shoqata për zhvillim të komunitetit rom “Sumnal” përfshiu 30 familje me rrezik psikosocial në një program falas për këshillim, psikoterapi dhe mbështetje psikosociale.
Nga ana e Iniciativës së grave nga Shuto Orizarja është hulumtuar qasja e të drejtave të romëve të rikthyer në territorin e Komunës së Shuto Orizares, Gjorçe Petrovit, Çairit dhe Kisella Vodës. Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” në periudhën nga 22 nëntori deri në qershor të këtij viti ka ofruar falas ndihma juridike për 174 qytetarë të komunitetit rom kryesisht në fushën e legalizimit dhe regjistrimit në librat amë.
Të gjitha këto projekte janë realizuar në kuadër të projektit të USAID-it për përfshirjen e romëve.