6 deputetë shqiptarë në Kuvendin e ri të Malit të Zi

Lëvizja Europa Tani e Presidentit Jakov Milatoviç fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Malit të Zi, raporton PCW. Kjo partia ka arritur që të sigurojë 26 përqind të votave ose 23 mandate deputetesh, ndjekur nga Aleanca Së bashku me kryesuese DPS-në e ish-presidentit Gjukanoviç me 22 mandate, koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi me 13 mandate dhe koalicioni Demokratë dhe Ura e Dritan Abazoviç me 11 mandate.

Dy listat e shqiptarëve në këto zgjedhje kanë prodhuar 3 mandate deputetësh. Genci Ninambegu do të jetë përfaqësues i Aleancës Shqiptare ndërsa Forumi Shqiptar do të përfaqësohet nga Nik Gjeloshaj dhe Nikola Camaj. Në parlament do të shkojnë edhe tre shqiptarë të tjerë. Mehmet Zenka dhe Drita Lola përfaqësojnë partinë e ish-presidentit Milo Gjukanoviç ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe shqiptari tjetër, Dritan Abazoviç, koalicioni i të cilit siguroi 11 deputetë.

Lideri i Lëvizjes Evropa tani, Milojko Spajiç, tha se kanë arritur një rezultat të mirë dhe presin që qeveria të formohet shpejt. Ai tha se në zgjedhjet e parakohshme është arritur një fitore e madhe dhe se do të bisedojë me të gjithë me të cilët ndajnë vlera të përbashkëta për formimin e qeverisë së re.

Spajiç tha se e kishte deklaruar qartë se nuk do të bënte koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare URA.

Zgjedhjet e fundit në Malin e Zi treguan se partitë pro evropiane morën mbështetjen më të madhe të qytetarëve ndërsa mbështetje të ulët patën ato, por serbe dhe pro ruse.

Mbetet thelbësor roli i partive shqiptare për të krijuar qeverinë e re të Malit të Zi e cila kërkon mbështetjen e të paktën 41 deputetëve nga 81 që ka parlamenti. Regjistrohet pjesëmarrje e ulët e zgjedhëseve, vetëm 56.7% ndërsa dy muaj më parë në zgjedhjet presidenciale i kaloi 70%.