57 të lënduar nga zjarri i Koçanit vazhdojnë trajtimin në vend dhe jashtë, dy pacientë mbeten në gjendje kritike

Për trajtim në vend dhe jashtë vendit do të qëndrojnë edhe 57 pacientë të lënduar nga zjarri në Koçanë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Taravari thotë se në Shkup janë duke u trajtuar nëntë pacientë, dy prej tyre në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një në “8 Shtatori”, katër në spitalin e vjetër të qytetit dhe dy të tjerë në klinika private, transmeton Portalb.mk.

“Të nëntë pacientët në Shkup janë në gjendje relativisht të mirë dhe stabile dhe presim që për disa ditë të lirohen. Janë 48 pacientë jashtë vendit, njëri prej të cilëve sot presim të kthehet nga Hungaria. Nga 193 pacientë që janë trajtuar, 57 kanë mbetur”, tha Taravari në konferencën për media.

Nga trajtimi jashtë vendit, Taravari tha se dy pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa të gjithë të tjerët janë ekstubuar.

“Disa prej tyre janë në rehabilitim, e të tjerë pritet t’i nënshtrohen operacionit. Shpresoj që këto ditë të kthehen edhe disa pacientë. Megjithatë do të jemi sërish të rezervuar, edhe pse themi se vetëm dy janë në gjendje kritike, përsëri mund të përkeqësohet gjendja e një pacienti tjetër. Gjendja aktuale është se janë nën kontroll”, shtoi ministri.

Ai përcolli edhe lajmin e mirë për pacienten e cila ishte në gjendje të rëndë, e cila ditën e parë është dërguar për mjekim jashtë vendit, është reanimuar dy herë dhe tani pritet ta vazhdojë trajtimin në shtëpi.

“Ajo është reanimuar dy herë, një herë këtu në Qendrën Klinike, dy herë gjatë transportit, sot ka bërë operacione plastike, është në gjendje shumë të mirë, është në lëvizje, është shembull i mirë për një paciente që ka qenë shumë e rëndë dhe shpresojmë që ta vazhdojë trajtimin në shtëpi”, tha Taravari.

Drejtoresha e Klinikës për Kirurgji Plastike, Jasmina Gorgievska-Pavlovska, tha se pacientja është kthyer në gjendje stabile në vend dhe është planifikuar të kryhet një procedurë e vogël kirurgjikale për trajtimin e plagëve që kanë nevojë për kujdes të mëtutjeshëm.

“Shpresoj që të gjitha analizat pulmonologjike dhe toksikologjike të jenë të mira, pastaj të lëshohen për mjekim shtëpiak”, shtoi ajo

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.