Prokuroria kërkoi masa sigurie për të dyshuarin e 19-të për zjarrin tragjik në Koçan

Prokuroria Themelore Publike në Koçan sot i ka dorëzuar Gjykatës Themelore në Koçan propozim për caktimin e masës së sigurimit për të dyshuarin e fundit të 19-të, ndaj të cilëve janë zgjeruar hetimet për zjarrin në diskotekën e Koçanit “Pulse”, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për ambasadorin aktual të Maqedonisë në Norvegji, Driton Kuqi, i cili më herët ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë.

Prokuroria nuk bën me dije identitetin e të dyshuarit, por bën me dije se po vijon procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së tij të mundshme në lidhje me ngjarjen.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.