31 vjeçari nga Maqedonia e Veriut dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen e kryer në Çarshinë e Shkupit

Një 31 vjeçar nga Maqedonia e Veriut dyshohet se ka ndihmuar në një vrasje që është realizuar në Shkup më 6 mars të këtij viti. Policia e Maqedonisë së Veriut ndërkohë e ka arrestuar 31 vjeçarin G.M., transmeton Portalb.mk.

“Shkupjani i dyshuar 31 vjeçar, më 18 shkurt në Kosovë, me vetëdije ka ndihmuar në kryerjen e një vepre penale, ashtu që me veprimet e tij ka vendosur në dispozicion mjete për kryerjen e veprës penale, gjegjësisht mori pjesë në shitblerjen e automobilit i cili më 6 mars ishte shfrytëzuar në kryerjen e veprës penale – vrasje në një kafene në rrugën “Samoilova” në Shkup”, raportoi Prokuroria Themelore Publike në Shkup.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria ka dhënë Urdhër për hetimin e këtij rasti, në bazë të nenit 123 dhe 23 nga Kodi Penal. Për shkak dyshimeve se mund të ndikon në hetim dhe mund të arratiset, Prokuroria ka propozuar paraburgim për të dyshuarin.

“Sot në Shkup, në rajonin e Gazi Babës, punonjësit e policisë nga SPB Shkup, në bashkëpunim me “Tigrat” dhe Sektorin për bashkëpunim ndërkombëtar policor, kanë kryer bastisje në shtëpi dhe kanë arrestuar 31 vjeçarin G.M. nga Shkupi, i cili po kërkohej me fletarrest të prokurorit përgjegjës në lidhje me vrasjen në kafenenë “Album Shisha” në Shkup më 6 mars të vitit 2023″, raportoi Policia.

Ndryshe, Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike Shkup më 7 mars ka dhënë disa udhëzime në drejtim të pastrimit të incidentit të armatosur më 6 mars në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në të cilin dy persona humbën jetën, ndërkaq njëri është lënduar.

Çfarë flitet për rastin?

Sipas TV Telma në media, vrasësit me “Audi6” kanë hyrë në lokal dhe kanë bërtitur: Bastisje, policia. Pas çka janë ngjitur në katin e dytë të lokalit, në një zyrë të mbikëqyrjes dhe aty i kanë gjetur Krivanjevën dhe Isenin dhe i kanë gjuajtur me armë.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, incidentin e mbrëmshëm e lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të mbrëmshmin. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.