300 punonjës shëndetësorë nga Klinika ‘Nënë Tereza’ në Shkup do të parkohen në ‘Limak’ për t’u liruar vend qytetarëve

Nga 1 korriku Klinika “Nënë Tereza” në Shkup pritet të ketë 300 vende parkimi më shumë për pacientët, kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë LIMAK SHPK Shkup, me të cilin sigurohen 300 vende parkimi të destinuara për të punësuarit në qendrën klinike, raporton Portalb.mk

Duke e njoftuar këtë, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se në kushte kur mbi 6.000 njerëz kalojnë çdo ditë nëpër kompleks, dhe më shumë se 2.500 prej tyre janë të punësuar, çështja e parkimit nuk mund të lihet në mëshirën e improvizimeve. 

“Që nga 1 korriku, kjo hapësirë parkimi do të vihet në funksion. Ajo ndodhet rreth pesë minuta në këmbë nga çdo klinikë. Me zhvendosjen e veturave të të punësuarve jashtë zemrës së kampusit, lirojmë hapësirat më të afërta për pacientët”, tha Aliu. 

Ai tha se po fillojnë edhe me një analizë sistematike të hapësirës, ku do të krijojnë një model të menaxhimit të hapësirës që nuk do të mbështetet në zakone dhe kaos, por në shifra, nevoja dhe logjistikë.

Kujtojmë se, ish ministri Arben Taravari ishte dakorduar me një kompani nga Shqipëria për të menaxhuar me vendparkingun e Qendrës Klinike Nënë Tereza, por si pasojë e reagimeve në opinion për shkak marrëveshjes me një kompani nga Shqipëria, nuk u zbatua marrëveshja. Ndryshe, Gjoka Construction ka vite që fiton tenderë të mëdhenj në Shqipëri. Një prej tyre është ndërtimi i autostradës që duhet të lidhë Dibrën me Tiranën. Krahas ndërtimit, familja Gjoka ka kompani që lidhen me biznesin e energjetikës.