Në mungesë të zgjidhjes afatgjatë, po kërkohet zgjidhje afatshkurtër për parkingun në Qendrën Klinike
Nga 300 deri në 500 vende të reja parkimi për pacientët që trajtohen në Qendrën Klinike dhe për shoqëruesit e tyre. Ky është vetëm një njoftim i Ministrit të shëndetësisë, Azir Aliu, i cili ka tre ditë që negocion me kompanitë që kanë vende parkimi në afërsi të kompleksit të klinikave. Ai, në brifing me gazetarët tha se ende nuk është arritur një marrëveshje, por pret që gjendja në vendparkimin brenda klinikave të lehtësohet gjatë javës së ardhshme, transmeton Portalb.mk.
Ministria planifikon të sigurojë kartela mujore për parkim për punonjësit me çmim përafërsisht të njëjtë si edhe ai deri më tani, ndërsa Aliu shprehu besim se mjekët do ta pranojnë këtë zgjidhje.
“Ideja është që numri më i madh i punonjësve të parkohen jashtë Qendrës Klinike që të mund të lirohet hapësira brenda. Personalisht mendoj se mjekët do t’i bindim lehtë, sepse ata janë mjekë dhe e dinë që ecja për dy ose tre minuta është e shëndetshme. Nga ana tjetër, ata janë këtu për pacientët”, tha Aliu në një takim informativ me gazetarët.
Ai tha se për zgjidhjen e propozuar ende nuk kishte diskutuar me punonjësit e klinikës, por personalisht është i bindur se do të pranohet.
Krahas lirimit fizik të vendeve të parkimit, Ministri Aliu njoftoi edhe një përmirësim teknologjik të të gjithë sistemit të parkimit në Qendrën Klinike.
Do të instalohen tabela interaktive në të gjitha hyrjet dhe në të gjithë Qendrën, që do t’i ndihmojnë pacientët t’i gjejnë më lehtë repartet që i kërkojnë.
“Për momentin vendparkimi është kaotik dhe i pahartuar. Të gjitha hapësirat e lira ku parkojmë do të duhet të hartohen, siç ndodh kudo edhe në qytet dhe në botë”, shpjegoi ministri.
Ai e pranon se zbatimi i këtyre masave mund të hasë në rezistencë, por është i bindur se me komunikim dhe mirëkuptim të mirë nga punonjësit, plani do të zbatohet me sukses.
“Ne jemi ministri dhe, përveç gjërave të bukura të cilat bëjmë e me të cilat krenohemi, jemi gjithashtu të gatshëm për kritika dhe procese të tilla pak më të vështira”, përfundoi ministri.
Për momentin pa zgjidhje afatgjatë
Kaosi dhe lufta për një vend parkimi në Qendrën Klinike vazhduan pasi Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Taravari, e anuloi tenderin për ndërtimin e garazheve me kate në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Taravari fillimisht e mbrojti tenderin, duke pretenduar se procedura ishte e rregullt dhe se marrëveshja do të ishte e vlefshme vetëm për sa kohë që Qendra Klinike do të ishte në vendndodhjen e saj aktuale, që sipas tij do të ishte maksimum 7-10 vjet.
Pas reagimeve të fuqishme publike ndaj kushteve në të cilat kompania shqiptare “Gjoka Construction” do ta menaxhonte këtë vendparkim dhe akuzave për korrupsion nga opozita, ministri i atëhershëm Taravari njoftoi se tenderi ishte anuluar dhe se “Gjoka Construction” nuk do ta menaxhojë vendparkimin.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Qeverisë së RMV-së për atë nëse janë në kërkim të një zgjidhje pas tenderit të dështuar. Nga atje kanë thanë se “zgjidhja e problemit me vendparkimin e Qendrës Klinike është një nga prioritetet e Qeverisë, për të cilën gjithçka po shqyrtohet seriozisht në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e përshtatshme”.
“Sapo të pranojmë një propozim që i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve dhe është në përputhje me procedurat ligjore, Qeveria do ta informojë publikun”, u përgjigjën nga Qeveria.
Për momentin vendparkimi në Qendrën Klinike menaxhohet nga ndërmarrja publike “Parkingjet e Qytetit”, edhe pse kontrata me të nuk është vazhduar që nga viti 2022.
Kujtojmë se, ish ministri Arben Taravari ishte dakorduar me një kompani nga Shqipëria për të menaxhuar me vendparkingun e Qendrës Klinike Nënë Tereza, por si pasojë e reagimeve në opinion për shkak marrëveshjes me një kompani nga Shqipëria, nuk u zbatua marrëveshja. Ndryshe, Gjoka Construction ka vite që fiton tenderë të mëdhenj në Shqipëri. Një prej tyre është ndërtimi i autostradës që duhet të lidhë Dibrën me Tiranën. Krahas ndërtimit, familja Gjoka ka kompani që lidhen me biznesin e energjetikës.