25 vjet nga sulmet e NATO-s në Kosovë për çlirim nga gjenocidi serb

25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja ka nisur sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi, transmeton REL.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshja është pasuar nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ka qenë kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999 ka nisur vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

KFOR-i është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën, teksa ka rikujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.

“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i [ish-liderit, Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë. Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”, ka theksuar Osmani.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenierka bërë homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s, në 25-vjetorin e nisjes së fushatës së bombardimeve, së bashku me presidenten Vjosa Osmani.

Hovenier shkroi se kujtojnë dhe nderojnë ushtarët që u sakrifikuan. Sot iu bashkova Vjosa Osmanit në memorialin e ushtarëve të rënë të NATO-s. Ne kujtojmë dhe nderojmë ushtarët e guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare, duke përfshirë oficerët e shefit të garancisë së ushtrisë amerikane David Gibbs dhe Kevin Reichert”, ka shkruar ambasadori amerikan.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Presidenti Begaj vlerësoi vendimmarrjen që i dha fund fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë, kontributin e mëtejshëm nga KFOR, si edhe vizionin e Aleancës për siguri, paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.  Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi. Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik. Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet”, theksoi Begaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO në Kosovë, ka shkruar ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Ai ka shkruar Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë.

“Sot, Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë. Me vendosmëri, Kosova ka evoluar në një demokraci funksionale, që synon integrimin e plotë në familjen euro-atlantike”, u shpreh Hasani.