RMV, “Dostoinstvo” e Stojançe Angellovit doli nga koalicioni me LSDM-në, do të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në

Lideri i partisë politike “Dostoinstvo” dhe drejtor aktual i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov sot kumtoi se partija e tij del nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, njofton Portalb.mk.

Arsyeja për vendimin e këtillë, siç shkruan Angellov në publikimin në profilin e tij në Fejsbuk, janë kërkesat dhe pritjet e papërmbushura të partisë së tij për kompensimin e dhjetëra invalidëve të luftës dhe pesëmbëdhjetë familjeve të mbrojtësve të rënë nga konflikti i vitit 2001.

“Iniciativat e ‘Dostoinstvo’ të dorëzuara deri te Qeveria dhe Kuvendi, me të cilat ofronim zgjidhje të këtij problemi, vazhdimisht merrnim mbështetje nga ana e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, por për shkak të kundërshtimit të BDI-së të njëjtat nuk kalonin. Gjithsesi se problemi me moskompensimin e invalidëve të luftës dhe familjeve të tyre nuk është arsyeja e vetme për shkak të së cilës po dalim ng koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, por për shkak të korrektësisë politike në këtë moment nuk kam për qëllim të hyjë në shpjegime të mëtejshme”, shkruan Angellov.

Përveç për daljen nga koalicioni me LSDM-në, Angellov informoi se udhëheqësia e “Dostoinstvo” javën e kaluar ka sjellë vendim të njëzëshëm për pranim të mundësisë për koalicionim me VMRO-DPMNE-në. Duke folur në këtë drejtim, Angellov thotë se janë në rrugë të mirë për realizim të disa prej kërkesave të tyre.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.