25% më pak numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE

Ulet numri i azilkërkuesve shqiptarë në Europë. Sipas të dhënave të Agjencisë për Azil e Bashkimit Europian gjatë muajit prill të këtij viti numri ia azilkërkuesve shqiptarë është ulur me afro 25 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton Klan.

Bazuar tek shifrat e Agjencisë për Azil të BE, referuar edhe tek të dhënat e Eurostat, gjatë një muaji kanë kërkuar azil 713 persona dhe prej tyre 506 kërkesa kanë qenë për herë të parë, ndërsa 207 raste kërkesat ishin përsëritëse.

Franca, Gjermania dhe Italia janë tre shtetet që kanë pasur edhe numrin më të lartë të këtyre kërkesave.

Megjithatë, ajo që vihet re është rritja e numrit të azilkërkuesve nga Turqia. Shtetasit turq kanë paraqitur shumë më tepër aplikime, ndërkohë që shkalla e njohjes së tyre është në rënie.

Sipas analizave të publikuara nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), autoritetet janë nën presion në rritje nga numri i kërkesave për azil, me rreth 75 000 aplikime të depozituara në prill.

Sirianët përkatësisht me (8 800) kërkesa dhe  afganët me  (7 000) kërkesa vijuan të kryesonin listën e azilkërkuesve. Mbi 60 % e tyre ishin në shtetin gjerman.

Shtetasit turq renditen në vendin e tretë me 4700 kërkesa, një rritje me gati dy të tretat krahasuar me një vit më parë.