Zyra rajonale e Avokatit të Popullit në Tetovë do të jetë e hapur në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Bërvenicë

Nesër në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës së Bërvenicës, Zyra rajonale e Avokatit të Popullit në Tetovë do të jetë e hapur nga ora 7:00 deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët të mund të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre të votimit, njofton Portalb.mk.

Përveçse personalisht në zyrë, qytetarët do të mund të raportojnë shkelje të të drejtave të tyre të votimit duke telefonuar në numrin 044 344-082.

“Avokati i Popullit do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera që janë të detyruara të sigurojnë mbrojtje të të drejtave të tyre të garantuara”, thuhet në kumtesën e këtij institucioni”, thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.

Nga zyra e Avokatit të Popullit përkujtojnë se e drejta e votës është e garantuar me kushtetutë si e drejtë e barabartë, universale dhe e drejtpërdrejtë dhe ushtrohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë dhe se askush nuk mund të mbahet përgjegjës për ushtrimin e kësaj të drejte, prandaj nuk është rastësi që shkelja e lirisë së zgjedhjes së votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, janë vepra të dënueshme.