Zvicra e sanksionoi grupin rus Wagner
Zvicra e ka sanksionuar të enjten grupin rus Wagner, duke ndjekur hapin e Bashkimin Evropian, i cili e ka bërë të njëjtën gjë një javë më parë, raporton REL. Forcat e Wagnerit janë në krye të ofensivave në lindje të Ukrainës, përfshirë luftimet në qytetin e Bahmutit, ku po shënohen përleshjet më të përgjakshme, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.
“Grupi Wagner është organizatë ushtarake me bazë në Rusi, nën udhëheqësinë e Yevgeny Prigozhin, e cila shërben si instrument i luftës hibride të Rusisë”, ka thënë Ministria ruse e Ekonomisë.
“Ndonëse natyra e saj ligjore është e paqartë, grupi Wagner është pjesë e një rrjeti kompleks të kompanive globale, të cilat janë të lidhura përmes strukturave të mbivendosura të pronësisë dhe rrjeteve logjistike”, është thënë në deklaratë.
I udhëhequr nga biznesmeni i lidhur me Kremlinin, Prigozhin, Wagner është themeluar më 2014.
Ky grup është përfshirë në konfliktet në Afrikë, Amerikën Latine dhe Lindje të Mesme.
Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, mirëpo u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian sa i përket Rusisë, prej nisjes së luftës.
Pavarësisht presionit nga Kievi dhe aleatët, Zvicra vazhdon të ruajë neutralitetin e saj.
Berni ka refuzuar kërkesat e shteteve tjera që armët zvicerane të rieksportohen në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.