Qindra njerëz u evakuuan nga rajoni i Harkivit pas ofensivës ruse
Qindra njerëz janë evakuuar nga zonat pranë kufirit rus në rajonin Harkiv të Ukrainës, një ditë pasi Moska e nisi një ofensivë befasuese tokësore, njoftuan zyrtarët, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Forcat ruse shënuan përparim të vogël në këtë rajon, gati dy vjet pasi ishin zmbrapsur.
“Në përgjithësi, 1.775 njerëz janë evakuuar”, tha guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov.
Ai tha se Rusia i bombardoi mbi 30 vendbanime në 24 orët e fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Harkiv.
“Ne duket t’i ndalim patjetër ofensivat ruse dhe Ukraina ta marrë iniciativën”, tha Zelensky të shtunën.
Rajoni i Harkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022.
Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.
Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale.
Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.
Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.