Zjarri në Malin Sharr dogji sipërfaqe prej 170 hektarësh

Në zjarrin që kaploi së fundmi Malin Sharr janë djegur 170 ha, prej të cilave përafersisht 20 ha pyll shtetërorë, të përfshirë nga zjarri tokësor në 30 % të sipërfaqes, rreth 70 ha tokë bujqësore private dhe parcela të vogla nën pyje private dhe pjesa tjetër kullotë e lartë malore, pronë e RMV-së. Kështu ka bërë të ditur sot Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’, raporton Portalb.mk.

Ky institucion sqaroi se gjatë ndërhyrjes kanë parë ujk, derr të egër dhe një thëllëzë mali të cilët ikën nga zjarri dhe një ari të trembur i cili u fsheh në shpellë.

“Na mungojnë plane për menaxhimin me pyjet dhe hartë e vegjetacionit për të gjithë zonën por pavarësisht kësaj disa parametra janë të qartë. Drejtoria e parkut shpëtimin e sheh në bashkëpunimin me popullatën lokale dhe vizitorët nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm”, thonë nga PK ‘Mali Sharr’.

Ata nënvizuan se në zjarrin e djeshëm, banorët e Veshallës humbën prona të vlefshme private.

Zjarri në Malin Sharr. Foto: PK "Mali Sharr"
Zjarri në Malin Sharr. Foto: PK “Mali Sharr”

Nga ky institucion theksuan se në 99 përqind të rasteve të zjarreve shkaku është faktori njeri.

“Sigurisht egzistojnë dënime, por veprat penale të tilla janë shumë të vështira për t ‘u provuar. Kjo është arsyeja pse në të ardhmen do të forcojmë kontrollet e lëvizjes dhe do të përqendrohemi në parandalimin përmes edukimit dhe informimit të popullatës”, thanë nga PK ‘Mali Sharr’.

Ndryshe, vitin e kaluar PK ‘Mali Sharr’ ka evidentuar 12 zjarre, ndërsa vetëm këtë vit janë evidentuar 10 zjarre.