RMV, janë arrestuar 17 pjesëtarë të policisë së burgjeve, për 6 prej tyre është propozuar paraburgim

Pas disa muajsh procedurë para hetimore, nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është zhvilluar sot aksion nga Sektori për luftimin e krimit të organizuar dhe krimit të rëndë pranë MPB-së, në të cilin janë ndaluar 17 persona, transmeton Portalb.mk.

Prokurori publik në fjalë ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj gjashtë personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit tetor të vitit të kaluar kanë kryer veprën penale të mundësimit të arratisjes së personit të privuar nga liria në bazë të nenit 372 paragrafi 2 të Kodit Penal, ndërsa një person dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

“Sipas veprimeve të përshkruara në pjesën operative të Urdhrit për zbatimin e procedurës hetimore, më datë 26.10.2023 në një objekt privat shëndetësor në Shkup, pesë të dyshuarit – punonjës të policisë së burgjeve në INP Idrizovë Shkup, si grup, me paramendim, të ndihmuar nga i dyshuari i gjashtë polic burgu – praktikant, ka mundësuar arratisjen e një personi të dënuar për veprën penale “Vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 i Kodit Penal. Personi i dënuar përderisa i nënshtrohej tretmanit mjekësor, sipas rregullores është ruajtur nga policia e burgjeve të INP Idrizovë. Në ditën kritike, i shoqëruar nga dy policë të dyshimtë të burgut, personi shkoi në dhomën e pirjes së duhanit ngjitur me spitalin. Aty së bashku me shoqërimin ka kaluar rreth gjysmë ore, pas së cilës zyrtarët e dyshuar të burgut janë larguar duke e lejuar të dënuarin të dalë nga dhoma dhe të arratiset. Të dyshuarit nuk e kanë raportuar arratisjen tek eprorët e menjëhershëm në INP Idrizovë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Njëkohësisht prokurori publik po zhvillon procedurë para-hetimore ndaj 11 personave për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se në periudhën kohore prej datës 26.10.2023 kanë kryer vepër penale të tejzgjatur Lirimi i paligjshëm i një personi të privuar nga liria. Të dyshuarit e kanë liruar të dënuarin për të cilin u ishte besuar kujdestaria, i cili është larguar nga objekti shëndetësor pa përcjellës dhe është kthyer pas disa orësh mungesë.

“Duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë apo asgjësojnë gjurmët e krimit dhe se duke ndikuar në dëshmitarë dhe bashkëpunëtorë do të pengojnë hetimin, prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion, sot gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup i propozoi caktimin e masës së paraburgimit për gjashtë të dyshuarit, ndërsa për njëmbëdhjetë personat për të cilët po zhvillohet procedura parahetuese , ai propozoi masa paraprake, përkatësisht: ndalim i daljes nga vendbanimi; obligimi i të akuzuarit që herë pas here t’i raportojë zyrtarit të caktuar ose organit kompetent shtetëror; konfiskimi i përkohshëm i një dokumenti udhëtimi ose dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalimi i lëshimit të tij; ndalimi i afrimit ose krijimit, përkatësisht mbajtjes së kontakteve ose marrëdhënieve me persona të caktuar dhe ndalimi i ndërmarrjes së disa aktiviteteve të punës që kanë të bëjnë me veprën penale”, thonë nga Prokuroria.

Sipas legjislacionit pozitiv të Maqedonisë, për veprat penale Lehtësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria sipas nenit 372, parashikohen dënime me burg nga një deri në dhjetë vjet.