Zjarrfikësit e Tetovës e kanë hapur njësinë e vullnetarëve, ja si mund të bashkoheni
Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë ka formuar grup të vullnetarëve zjarrfikës, ku çdo qytetar i interesuar mund të bëhet pjesë e saj, shkruan Portalb.mk.
Kjo njësi u prezantua sot në sheshin e Tetovës gjatë shënimit të Ditës së Zjarrfikësve ku qytetarët u njoftuan me punën dhe shërbimet që ofrojnë zjarrfikësit e Tetovës.
“Nga sot mund të promovojmë edhe njësinë e vullnetarëve, që besojmë se do të kontribuojë dhe do të ndihmojë fuqishëm në zvogëlimin e dëmeve në jetë të njerëzve dhe pronave të njerëzve. Përkrahje nga Austria dhe Mbretëria e Bashkuar. Pa përkrahjen e tyre njësia nuk do ishte aty ku është sot”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Shefi i Njësisë së Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti theksoi se si zjarrfikës kanë bërë përpjekjet e tyre së bashku me komunën që të gjejnë vullnetarë që do të jenë të përfshirë në të gjitha fshatrat e Pollogut.
“Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm. Kjo është një hap i madh dhe u bëjmë thirrje të gjithë të rinjve që janë të interesuar të jenë vullnetarë të kësaj njësie, të kontaktojnë shoqatën deh të akzivizohen në këtë drejtim”, tha Ahmeti.
Deri më tani kjo njësi ka 15 vullnetarë, ndërkaq në këtë ditë u theksua edhe mungesa e zjarrfikësve.
Në lidhje me aktivitetin e sotëm kanë reaguar nga BDI – Dega e Tetovës, ata thonë se sipas pasqyrës buxhetore të vetë Komunës së Tetovës, në vitet 2024 dhe 2025 janë ndarë vetëm 25.000 euro për mirëmbajtje dhe riparime, ndërsa 0 denarë për investime të reja.
“Realiteti në terren është alarmant, një numër i madh i automjeteve për shuarje të zjarrit janë jashtë funksionit, të havarisura dhe të papërdorshme. Kjo brigadë, e cila shërben gjashtë komuna përreth Tetovës, vuan edhe nga mungesa e stafit të mjaftueshëm. Për më tepër, kemi indikacione të besueshme se disa persona të punësuar si zjarrfikës, të afërt me strukturat e Lëvizjes BESA, nuk paraqiten fare në vendin e punës”, thanë nga BDI Tetovë.
Ndryshe, Njësia Territoriale e Zjarrit e Tetovës mbulon të gjithë rajonin e komunave të Pollogut.