Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, BE vendos rregulla dhe kufizime të reja
Anëtarë të Parlamentit Europian votuan të enjten në mëngjes me shumicë dërrmuese një draft-rregullore që do të sigurojë “zhvillimin në mënyrë etike” të Inteligjencës Artificiale, raporton EN. Votimi, shtoi dispozita të reja në tekstin origjinal të propozuar nga Komisioni Evropian, veçanërisht detyrimet mbi të ashtuquajturat modele të themelimit gjenerues, si ChatGPT, që ka revolucionarizuar industrinë e teknologjisë.
Amendamenti ka si qëllim që të sigurohet që chatbot-et të jenë transparentë, të përfshijnë opsione sigurie, kundër përmbajtjeve të palejuara në ligjin e Bashkimit Europian dhe të respektojnë të drejtat kryesore si liria e shprehjes.
Deputetët e PE-së, po ashtu duan të ndalojnë atë që është cilësuar si përdorime ndërhyrëse apo diskriminuese të Inteligjencës Artificiale, të tilla si identifikimi biometrik në vende publike dhe sisteme të njohjes së emocioneve.
Projekt-rregullorja u miratua me 84 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime. Megjithatë, deputetët duhet ta kalojnë draftin në një seancë tjetër plenare negociuese me shtetet anëtare.
Akti i Inteligjencës Artificiale u propozua për herë të parë nga Komisioni në prill 2021 dhe i ndan sistemet e Inteligjencës Artificiale në katër kategori, sipas rrezikut që ato paraqesin për shoqërinë.