Zgjerohet hetimi për zjarrin në diskoteken e Koçanit, procedurë edhe ndaj një person tjetër
Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka lëshuar Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore, me të cilën zgjerohet hetimi për zjarrin në diskoteken e Koçanit “Puls” ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet gjithashtu si bashkëpunëtor për -Krime të rënda kundër sigurisë publike sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Nga veprimet e ndërmarra gjatë procedurës deri më tani, janë siguruar prova që tregojnë për dyshim të bazuar se i dyshuari, si pronar i pasurisë së paluajtshme – një ndërtesë në të cilën diskoteka ka vepruar me vite, ia ka dhënë me qira atë njërit prej të dyshuarve të mëparshëm. Pa paraqitur kërkesë dhe pa marrë miratim për shndërrimin e objektit nga një organ kompetent, bashkërisht dhe në marrëveshje me pronarin e dyshuar joformal të personit juridik, ai, në data të ndryshme dhe në disa raste në periudhën nga viti 2012 deri në mars 2025, ka ndërmarrë aktivitete ndërtimore me të cilat ka kryer dhe ka marrë pjesë në shndërrimin e paligjshëm të objektit nga qëllimi G3 – shërbime dhe infrastrukturë trafiku në qëllimin B3 – njësi të mëdha hoteliere dhe ka mundësuar funksionimin e paligjshëm të një aktiviteti hotelierik diskotekë/kabare në objekt”, thonë nga Prokuroria.
Prokuroria Publike i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për përcaktimin e masave paraprake.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Një hetim është duke u zhvilluar kundër 68 individëve dhe tre personave juridikë për tragjedinë që tronditi të gjithë vendin.