Zelensky në Samitin në Tiranë: Humbja e Putinit është siguria jonë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po përdor diktate nga e shkuara, duke detyruar shtetet që të veprojnë siç ai do.

Gjatë samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, Zelensky tha se Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.

“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë”, tha ai.

Në samitin në Tiranë liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Samiti po mbahet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe në të po merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në samit po marrin pjesë edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që po merr pjesë në samit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.