Zelenski: Sistemet amerikane dhe gjermane për mbrojtje kundëajrore janë shumë efikase

Sistemet për mbrojtje kundërajrore që i janë dhuruara Ukrainës nga Gjermania dhe SHBA tashmë kanë treguar rezultate të vlefshme, duke u përballuar me një numër të madh të raketave ruse gjatë javës së kaluar, tha presidenti ukrainas Volodomir Zelenski në fjalimin e tij mbrëmë,  transmeton Portalb.mk.

Sipas Zelenskit sistemi amerikan “Patriot”  dhe sistemi gjerman “Iris-T”, janë sisteme shumë të fuqishme dhe efikase, raporton Guardian.

“Këtu, në qiellin tonë mund ta vërtetojmë se terrori po humb. Ukraina mund ta fitojë këtë betejë, ndërkaq mbrojtja qiellore e jona në fund do të garantojë siguri për të gjithë Evropën”, tha Zelenski në fjalimin e tij vetëm disa orë pasi që Rusia kreu një sulm mbi Ukrainën ku mbetën të vrarë 6 persona.

Moska ka gjuajtur 65 raketa të ndryshme dhe 178 dronë mbi Ukrainën gjatë shtatë ditëve të fundit.

Gjatë ditëve dhe netëve të kaluara, ushtarët rusë kanë bombarduar rajonin e Zaporizhia 69 herë, nga ku janë dëmtuar 15 ndërtesa, raporton Ukrinform. Sulme ka pasur edhe në zonën e Khersonit, ku janë plagosur katër persona.

Agjencia e lajmeve ukrainase, raportoi se ish-deputeti i asamblesë së katërt ukrainase  të Rada Verkhovna, Serhiy Slabenko, ka vdekur duke luftuar për Ukrainën.

“Deputeti i popullit, Serhiy Slabenko i asamblesë së katërt vdiq në betejën për pavarësinë e Ukrainës në rajonin Zaporizhzhia” thuhet në raport.”

57 vjeçari Slabenko ka qenë deputet në periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2006, kur ka udhëhequr nen komisionin për gjykata, drejtësi dhe reforma gjyqësore të Komisionit për Politika Ligjore.

Ai vdiq më 4 gusht.