Zelenski prezantoi detaje nga plani për Ukrainën

Pas raundit të fundit të bisedimeve në SHBA Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski dha për herë të parë më hollësisht sqarime rreth planit për t’i dhënë fund luftës agresore të Rusisë ndaj Ukrainës. Sipas Zelenskit Ukraina dhe SHBA-të kanë arritur një marrëveshje mbi pikat kyçe. Projekt-plani, i cili përmban 20 pika po shqyrtohet aktualisht edhe nga Moska. “Ne do të marrim përgjigje nga Rusia pasi amerikanët të kenë folur me ta”, u tha Zelenski gazetarëve, transmeton Dojçe Vele (DW).

Ç’përmban marrëveshja?

Në projekt-marrëveshje parashikohen garanci sigurie për Ukrainën të bazuara në nenin 5 të traktatit të NATO-s, pra klauzolës së ndihmës së ndërsjellë. Po ashtu sikurse tha Zelenski parashikohet që Ukrainë të ketë një ushtri prej 800,000 vetësh. Dokumenti thekson sovranitetin e vendit dhe përcakton që Rusia duhet të formalizojë me ligj një politikë mos-agresioni ndaj Evropës dhe Ukrainës. Po ashtu plani kërkon ngrirjen e veprimeve luftarake përgjatë vijave aktuale të frontit. “Dislokimi i trupave në kohën e kësaj marrëveshjeje do të njihet de facto si vija e kontaktit”, deklaroi Zelenski.

Ndryshimi i planit fillestar

SHBA kishin paraqitur rreth tri javë më parë një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Ky version ishte shumë pro Moskës. Me këmbënguljen e Ukrainës dhe të aleatëve të saj evropianë, plani u rishikua në disa pika kyçe. Fundjavën e kaluar përfaqësues nga SHBA-ja dhe Ukraina u takuan përsëri në Floridë për të diskutuar për përfundimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.