Zelenski: Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë deri në 50 mijë ushtarë në Rusi

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se deri në 50 mijë ushtarë të Koresë së Veriut do të dërgohen në Rusi, ndërsa njëkohësisht i bëri thirrje Koresë së Jugut të ofrojë mbështetje për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, transmeton Portalb.mk.

“Është marrë vendim për dislokimin e 30 deri në 50 mijë koreanoveriorëve në territorin e Rusisë”, tha Zelenski.

Ai tha se në territorin e Ukrainës janë gjetur disa raketa të Koresë së Veriut, pa bërë të ditur vendndodhjet e tyre.

“Është absolutisht e qartë se Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërtojë përvojën e saj në luftën moderne dhe të marrë licenca dhe të gjitha llojet e mjeteve ushtarake nga Rusia”, tha Zelenski.

Kujtojmë se presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Koresë së Veriut, Kim Jong Un nënshkruan marrëveshje për partneritet gjithëpërfshirës strategjik në qershor të vitit 2024. Pakti përfshin dispozitë për ndihmë të ndërsjellë në rast se përballen me agresion të jashtëm.