Zekolli Shaqiri: Marrëveshja për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren do të nënshkruhet më 4 tetor
Marrëveshja për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren do të nënshkruhet në Shkup më 4 tetor 2024. Kështu ka deklaruar për Portalb.mk zëvendës-ministrja e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Në lidhje me rrugën Tetovë-Prizren, Zekolli tha se janë në rrugë të duhur për të nënshkruar marrëveshjen e projektimin e kësaj rruge dhe pas projektimit do të fillojë realizimi i punimeve.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të bëhet nga të dyja palët, Ministria e Transportit e RMV dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet më datë 04.10.2024 në Shkup, dhe për implementimin e këtij segmenti duke i respektuar ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është i nevojshëm ratifikimi nga Kuvendi”, tha Zekolli Shaqiri.
Kjo deklaratë e zëvendës-ministres ngjalli reagime të shumta në opinion se veç më ka një marrëveshje dhe pse duhet të nënshkruhet një e re.
Zekolli-Shaqiri përmes një reagimi sqaroi se edhe pse ka një memorandum mes Ministrisë së Transportit të RMV-së dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, që nga janari i vitit 2024, asnjë progres konkret nuk është bërë në zhvillimin e këtij projekti të rrugës.
“Në koordinim me Ministrin Liburn Aliu, kemi vendosur që së shpejti të nënshkruajmë një marrëveshje projektimi dhe të krijojmë një grup punues, në përputhje me memorandumin e mëparshëm të nënshkruar. Ky grup punues do të përbëhet nga pesë anëtarë nga dy shtetet, duke bërë një total prej dhjetë anëtarësh, të cilët do të kenë për detyrë përzgjedhjen e projektuesit të projektit dhe më pas mbikëqyrjen e implementimit të tij”, tha Zekolli–Shaqiri.
Portalb.mk ka kontaktuar për sqarime edhe Ministrinë e e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës për këtë rast, nga atje jemi në pritje të përgjigjes.
Paraprakisht, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ka deklaruar se “për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga Komuna e Tetovës”.
Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.
18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.
Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.
Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.