Vrasje në Çarshinë e Shkupit gjatë natës së Vitit të Ri: Shtetas turk humbi jetën, autori në arrati

Një person është vrarë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore në një incident që ka ndodhur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Sipas tij, viktima është shtetas turk dhe vepra penale është kryer me mjet të mprehtë, transmeton Portalb.mk nga Skopje1.

“Kemi një person të vdekur dhe një person me lëndime të rënda trupore. Si vrasja ashtu edhe lëndimi i rëndë trupor janë kryer me thikë. Ka persona të dyshuar, por për momentin nuk mund të jap më shumë detaje, pasi njëri prej tyre është në arrati,” deklaroi Toshkovski.

Ministri theksoi se në ngjarje kanë qenë të përfshirë disa persona dhe se të gjithë të përfshirët kanë qenë shtetas të huaj. Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa për gjetjen e personit të dyshuar.

Përveç vrasjes, gjatë natës së Vitit të Ri në Shkup janë regjistruar edhe shtatë persona të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Toshkovski informoi se në të njëjtën periudhë, në territorin e kryeqytetit kanë ndodhur gjithsej 23 aksidente trafiku, prej të cilave dy kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore.