Gashi: Zgjedhjet lokale do të shpallen brenda afatit të caktuar

Zgjedhjet lokale do të shpallen brenda afatit të caktuar, në gjysmën e parë të gushtit, për të lënë hapësirë për të plotësuar pozicionet vakante të Avokatit të Popullit dhe Kryetarit të KSHPK-së, tha sot (31 korrik) kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me interpelancën e prokurorit publik Ljubomir Kocevski, kreu i dhomës legjislative thotë se Kuvendi tashmë e ka dhënë deklaratën e tij dhe se tani u takon organeve të tjera që duhet ta dëgjojnë këtë zë të përfaqësuesve të popullit, Qeverisë dhe prokurorit të shtetit.

Megjithatë, sipas Gashit, edhe Këshilli i Prokurorëve duhet ta bëjë këtë, nëse e gjykon kështu.

Deputetët shkojnë me pushime nga 4 deri më 22 gusht, por Gashi kujton se dhoma legjislative është në seancë të përhershme dhe se nëse është e nevojshme, deputetët do të thirren në seancë gjatë pushimeve

Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.  Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.