Vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 1.117 raste të dhunës në familje, burrat janë kryerësit kryesorë

Vitin e kaluar, nga gjithsej 1.117 krime të regjistruara në fushën e dhunës në familje, 942 ishin gra, bashkëshorte, nëna ose vajza dhe nga totali i kryerësve të raportuar, 1061 ishin burra. Kjo, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tregon nevojën për veprim të përbashkët institucional dhe marrjen e masave që do të kontribuojnë në uljen e dhunës në familje, transmeton Portalb.mk nga Skopjeinfo.

Ministri Spasovski, i cili sot mori pjesë në takimin final me temën “Së bashku për zgjidhje të shpejtë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, theksoi se dhuna në familje ka pasoja negative jo vetëm në familje por edhe në mbarë shoqërinë.

“Në vitet e kaluara kemi qenë dëshmitarë të paraqitjes së ideve dhe zgjidhjeve nga kornizat globale dhe kombëtare për mbrojtjen e gruas, parandalimin e dhunës në familje, duke përfshirë parandalimin e formave më të rënda të krimit si dhuna seksuale dhe shfrytëzimi. Gjithçka për të cilën pak është folur dhe vepruar deri para dy dekadash tani është në fokus të interesit publik dhe institucional si problem prioritar”, tha Spasovski.

Ai theksoi se mbrojtja, zbulimi dhe parandalimi i kësaj forme të krimit është dhe do të vazhdojë të jetë çështje e angazhimit të koordinuar dhe të shtresuar ndërinstitucional, në të cilin do të marrin pjesë specifike të gjithë faktorët joinstitucional, civil, siç është Këshilli Nacional për barazi gjinore.

Ai siguroi se MPB-ja vazhdon të veprojë në mënyrë konsistente me synimin për zhdukjen e fenomeneve të tilla dhe sanksionimin e çdo autori.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale – Enver Husein tha se dhuna në familje kërkon qasje komplekse dhe nuk duhet pranuar si sjellje e justifikuar në asnjë rrethanë.

Ai vlerësoi se shteti ka krijuar sistem stabil dhe po i merr të gjitha masat e nevojshme.

Zëvendësministrja e Drejtësisë – Viktorija Avramovska Madiq, nga ana tjetër, theksoi se Ministria e Drejtësisë në të ardhmen parasheh dhënien e rekomandimeve për aktivitete lidhur me procedurat gjyqësore dhe ndihmë juridike falas.

Zëvendëskoordinatorja në Këshillin Nacional për Barazi Gjinore, Martina Stankoviq, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet palëve të interesit është i mirë, por ka vend për përmirësim.

Takimi përfundimtar pason gjashtë takime të mbajtura për këtë temë, në të cilat morën pjesë të gjithë aktorët përkatës.

“Kemi bashkëpunim ndërsektorial, por nuk mjafton, duhet patjetër të kontrollohet se si zbatohet në praktikë protokolli për bashkëpunim të ndërsjellë, të përshpejtohet procesi i zgjidhjes së rasteve, që institucionet të veprojnë paralelisht, të shmanget viktimizimi i dyfishtë i viktimave, të bëjnë softuerë elektronikë moderne në të cilat do të shihet rrjedha e rastit. Është gjithashtu e nevojshme të punohet në parandalimin që nga shkolla fillore për të njohur dhunën”, tha Stankoviq.

Takimi “Së bashku për zgjidhje të shpejtë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave” u organizua nga Këshilli Nacional për Barazi Gjinore.