Lukashenko: Nëse Rusia shembet, të gjithë do vdesim

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha se nëse Rusia shembet, “ne të gjithë do të vdesim”, duke komentuar rreth “rebelimit të armatosur” të grupit paraushtarak Wagner kundër Kremlinit gjatë fundjavës, transmeton Anadolu.

“Nëse Rusia shembet, ne do të mbetemi nën rrënoja, ne të gjithë do të vdesim”, tha Lukashenko gjatë një ceremonie ushtarake në kryeqytetin Minsk.

Ai tha se të shohësh “rebelimin e armatosur” në Rusi ishte “e dhimbshme”.

“Më duhet të them se ishte e dhimbshme për mua të shikoja zhvillimet e fundit në jug të Rusisë. Shumë nga qytetarët tanë gjithashtu i morën ndodhitë afër zemër. Kjo sepse ne ndajmë një atdhe”, tha Lukashenko.

Më tej ai tha se ka urdhëruar ushtrinë bjelloruse të qëndrojë në gatishmëri të plotë gjatë ngjarjeve në Rusi.

Lidhur me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Lukashenko, e cila i dha fund konfliktit, presidenti bjellorus tha askush nuk duhet shpallur hero.

“Sidoqoftë, mos më bëni hero, as mua, as (presidentin rus Vladimir) Putin dhe as (shefin e Wagner-it Yevgeny) Prigozhin, sepse ne e lamë situatën të na ikë nga duart dhe më pas menduam se do të zgjidhej vetë, por kjo nuk ndodhi”, tha Lukashenko.

Ai gjithashtu tha se opozita bjelloruse gjithashtu “filloi të bëjë zhurmë” gjatë ngjarjeve në Rusi, por shtoi se ata bënë një “fillim të rremë”.

“Ata po përpiqen shumë që të paktën disa rezultate të punës së tyre t’ua tregojnë shefave të tyre. Ata madje kanë lëshuar thirrjet e tyre dhe kanë publikuar plane duke demonstruar gatishmëri për të zbatuar skenarin e tyre të një rebelimi të armatosur”, tha ai.

Më 24 qershor, grupi Wagner akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë se kishte sulmuar luftëtarët e saj, pas çka Prigozhin shpalli një “marshim drejtësie” dhe kaloi kufirin nga Ukraina drejt qytetit rus Rostov-on-Don, duke synuar të marshonte drejt Moskës.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi i cilësoi veprimet e Wagner-it si “një rebelim të armatosur” dhe hapi një çështje penale kundër Prigozhin-it, ndërsa Putin e quajti kryengritjen e Wagner-it një akt “tradhtie”.

Më vonë gjatë ditës së njëjtë, Prigozhin dhe luftëtarët e tij vendosën të ktheheshin “për të shmangur gjakderdhjen” kur ishin 200 kilometra nga Moska.

Lukashenko tha se ai kontribuoi në zgjidhjen duke zhvilluar bisedime me kreun e Wagner-it, gjë që çoi në vendimin e Prigozhin-it për të pranuar një marrëveshje për shmangien e eskalimit.