Vetingu në arsimin e lartë i propozuar nga FNA, MASh: Disa nga sugjerimet janë diskutuar tanimë

Vetingu i tërësishëm në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut është kërkesa që dje Forumi për Ndryshime (FNA) e dorëzoi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh) me disa propozime. Nga MASh për Portalb.mk theksojnë se disa nga këto sugjerime tashmë janë diskutuar, por nuk tregojnë nëse këto propozime të FNA-së do të pranohen dhe implementohen në tërësi, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Arsimit thekson se çdo propozim konstruktiv mund të integrohet në politikat të krijuara nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa janë të orientuara drejtë avancimit të sistemit arsimor në tërësi.

“Dokumenti që Forumi për Ndryshime Arsimore e dorëzoi deri tek ne përmban sugjerime, disa prej të cilave tanimë janë diskutuar. Ju njoftojmë se tanimë kanë filluar sërë aktivitetesh për avancimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend, edhe atë, përmes qasjes gjithëpërfshirëse përmes së cilës dëgjohet mendimi i palëve të interesuara. Po intensifikohen diskutimet me Konferencën Ndëruniversitare, në të cilën anëtarësohen përfaqësues të të gjitha universiteteve shtetërore dhe private, komunikimi me Agjencinë për Cilësi në Arsimit të Lartë dhe Këshillin Kombëtar të Arsimit të Lartë dhe veprimtarinë kërkimore- shkencore, por sigurisht e mirëseardhur është edhe mbështetja nga ana e shoqatave dhe organizatave civile si FNA”, thanë nga MASh.

Propozimi të cilin Forumi për Ndryshime në Arsim e prezantoi para opinionit dhe e dorëzoi në Ministri të Arsimit fokusohet në tre fusha, edhe atë:

  1. Personat me pozita udhëheqëse brenda universiteteve si rektorët, prorektorët, dekanët dhe prodekanët t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Inspektorati i Arsimit dhe Enti Shtetëror i Revizionit të kryejë inspektime të jashtëzakonshme çdo fillim të vitit akademik për të verifikuar parregullsitë potenciale gjatë punës së tyre si dhe mënyrës së menaxhimit të financave.
  2. Të hetohen të gjitha vendimet për akreditim të programeve të dyshimta nga ana e Bordit për Akreditim në Arsimin e Lartë. Anëtarët e këtij institucioni duhet t’i nënshtrohen vetingut i cili do të vlerësojë etikën profesionale të tyre si dhe konfliktet potenciale të interesit.
  3. Të ri-shqyrtohen titujt akademik të profesorëve ndaj të cilëve ka indicie publike se mund të kenë marrë titullin në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. Në këtë drejtim, të avancohen kriteret në thirrjet akademike dhe e gjithë kjo të bëhet nga një komision i pavarur kombëtar i cili do të jetë përgjegjës për verifikimin e plotë të avancimeve në thirrje akademike të të gjithë profesorëve në 15 vitet e fundit.

“Me veting, sigurohet cilësia, besueshmëria dhe integriteti në arsimin e lartë. Kjo do të shërbejë si themel i mirëmbajtjes së reputacionit akademik dhe luftës kundër korrupsionit në Arsimin e Lartë”, tha Blendi Hodai, drejtor i FNA-së.

Ndër të tjera, FNA propozoi edhe disa masa për përmirësimin e transparencës së universiteteve publike si transmetim të drejtpërdrejtë (livestreaming) të mbledhjeve të Senatit të universiteteve dhe publikimi i të gjitha dokumenteve të rëndësishme në ueb-faqet e universiteteve.