Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në lidhje me sigurinë dhe përdorimin e telefonit në shkolla

Miratimi i rekomandimeve në lidhje me sigurinë, organizimin dhe gjendjen në shkollat fillore dhe të mesme, ishte një nga vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në seancën e 154-t që u zhvillua sot, transmeton Portalb.mk.

Këto rekomandime janë përgatitur nga Ministria për Arsim dhe Shkencë, ndërsa këto kanë të bëjnë më parandalimin e sulmeve të ndryshme në shkolla. Një nga rekomandimet është formimi i ekipeve profesionale në kuadër të shkollave për këtë çështje, në bashkëpunim me pushtetin lokal.

Një nga rekomandimet e Qeverisë është edhe ajo që shkollat fillore dhe të mesme në gjithë vendin të mbajnë mbledhje me gjithë prindërit për këtë çështje.

“Qeveria i rekomandoi komunave dhe Qytetit të Shkupit, që të angazhojnë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, që të bëjnë organizim dhe protokoll për mënyrën e shfrytëzimit të telefonave mobil nga nxënësit dhe mësimdhënësit, gjatë kohës së orës mësimore dhe në hapësirat e shkollës”, sqarojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, MASH-i vazhdon procesin e konsultimit, me përfshirjen e disa faktorëve  shoqëror  të cilët mund të ndihmojnë në krijimin e protokolleve gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë në shkolla dhe manualeve për trajtimin në rast të zbulimit të dhunës nga bashkëmoshatarët.

Gjithashtu aktiv janë e-mail adresat [email protected] dhe [email protected] ku mund të raportohen raste të dhunës në shkolla.  Deri më tani janë pranuar rreth 20 porosi disa prej të cilave janë nga ish-profesorë në formën e sugjerimeve se si të parandalohet dhuna në shkolla dhe raportime nga nxënës që kanë pësuar një formë të caktuar dhune, për të cilat është kompetent të veprojë Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Këto veprime vijnë pasi një javë më parë në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjes pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.