Vendet me rrogën mesatare më të madhe në Ballkanin Perëndimor

Qeveria shqiptare shpalli planin ambicioz të rritjes së pagës mesatare në sektorin shtetëror, duke synuar që brenda dy vitesh të afrohet me rajonin për nga niveli i pagës mesatare. Aktualisht, Shqipëria mban vendin e fundit në rajon për këtë tregues, por sipas planit, paga mesatare në sektorin shtetëror llogaritet të arrijë 900 euro brenda vitit 2024, me një rritje prej 270 euro nga niveli aktual. Ekspertët e ekonomisë e shohin si formë kompensimi ndaj rënies së fuqisë blerëse për shkak të rritjes së çmimeve, që ka qëllime elektorale, raporton Faktoje.

Esmeralda Topi

Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi në sektorin publik në fund të vitit të kaluar rezulton 70 mijë lekë (620 euro). Por brenda vitit 2024, qeveria synon ta rrisë këtë tregues me 30 mijë lekë (27 euro).

“Tanimë kemi në dorë një plan shumë ambicioz, por njëkohësisht mjaftueshëm të arsyeshëm për një rritje pagash, e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre viteve, pra të 2023-it, 2024-ës të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.”, deklaroi kryeministri Edi Rama në fund të muajit mars, teksa shpalli planin për këtë rritje të paprecedentë pagash në sektorin shtetëror.

Sipas Ramës nisma‘Faktikisht synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh, që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, në të mirë të familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare, e thashë në dy faza.’

Të dhënat zyrtare të INSTAT për pagën mesatare mujore në sektorin shtetëror tregojnë se nga ardhja në pushtet e qeverisë Rama dhe deri në fund të vitit 2022, ky tregues është rritur me vetëm 17 mijë lekë. Por atë që s’ka ndodhur në gjithë këto vite, Rama angazhohet ta realizojë për 24 muaj. Kryeministri synon të rrisë pagën mesatare mujore në 102 mijë lekë në vitin e dhjetë të qeverisjes, por plani I detajuar ende nuk është ndarë me publikun.

“Aktualisht nuk ka ende një plan të publikuar me detaje nga institucioni përkatës.”– shkruan në një përgjigje për Faktoje, Agjencia për Media dhe Infromim duke cituar më tej kryeministrin kur tha se “Do të kemi një rritje tani së shpejti të shkallëzuar, për një pjesë, detaje të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do të vijë brenda 10-15 ditëve të ardhshme dhe sigurisht do të publikojmë dhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë.”

Sa të punësuar do të përfitojnë nga rritja e pagës mesatare?

Të dhënat e fundit zyrtare nga INSTAT që i takojnë vitit 2021 tregojnë se numri total i të punësuarve në sektorin publik është 183 mijë e 255 persona. Nga viti 2014, punësimi në shtet është rritur me 19 mijë e 370 persona gjithsej.

Një prej tyre është edhe K.L. Pesë vite më parë, ajo fitoi vendin e punës si specialiste pranë një institucioni shtetëror, përmes një konkursi të hapur nga Departamenti i Administratës Publike. Paga bruto që ajo merr aktualisht është 65,200 mijë lekë ose 580 euro.

‘Si specialiste, unë paguhem me kategorinë e pagës 3B. Paga neto mujore më shkon 67 mijë lekë ose 576 euro, plus shtesat e vjetërsisë në punë.’– pohon ajo duke shtuar se e mirëpret planin për rritjen e mëtejshme të pagës mesatare.

‘Rritja e fundit e pagës për mua është bërë në muajin shtator të vitit të kaluar me 4,200 lekë (38 euro) rritje page.’

Sa do t’i kushtojë buxhetit rritja e pagës?

Përllogaritjet me të dhënat aktuale tregojnë se për rritjen e pagës mesatare në shtet qeverisë do t’i duhen 51.3 milionë euro.

Rritje reale apo fiktive?

‘Këto janë qëllime elektorale, propagandistike por për çështje të tilla duhet të bëhemi serioz.’– thotë profesor Selami Xhepa, teksa shton se buxheti ka hapësira për të përmbushur planin ambicioz të qeverisë. Por më shumë se rritje page, Xhepa e sheh si kompensim të fuqisë blerëse ndaj çmimeve të larta.

“Hapësira për rritje buxheti ka për një arsye të thjeshtë sepse kur flasim për rritje page tani ne nuk flasim për rritje page reale, flasim për kompensim të të ardhurave reale, të ardhurave të munguara dhe zëvendësim të fuqisë blerëse të humbur.

Nuk mund të konsiderohet rritje të ardhurash reale por është një kompensim i humbjes së fuqisë blerëse për shkak të inflacionit. Hapësirat ekzistojnë sepse po të shikosh të ardhurat në buxhet janë rritur shumë dhe nuk kanë rritje për ndonjë meritë të rritjes së ekonomisë por nga rritja e çmimeve. Kështu që kjo politikë për rritjen e pagave kompenson pikërisht këtë gjë, rritjen e çmimeve.”, vlerëson profesor Xhepa për Faktoje.

Rritja e pagës mesatare në shtet, po privati? 

“Natyrisht që duke i rritur pagat për administratën ushtron presion moral tek ne, pra biznesi sepse njerëzit thonë më mirë po punoj në shtet se sa po rri të punoj në privat.”- pohon për Faktoje, Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, teksa thekson se kjo ‘është e vetmja mënyrë se si mund të impaktohet biznesi’. 

Shkodra shton se paga mesatare ka lidhje me produktivitetin e biznesit. ‘Unë jam biznes privat, e rris pagën sepse kam para, s’kam para se rris pagën.’– argumenton më tej ai ndërkohë që edhe rritjen e pagës mesatare në shtet e sheh si politikë të pakuptimtë.

“Sepse që të bësh një gjë të tillë ti duhet të vazhdosh dhe të thuash, në rregull unë po e rris pagën mesatare por ndërkohë nga ana tjetër si do të rritet ekonomia në proporcion me këto politika që po ndërmarr. Ose le të themi që unë po marr disa politika publike, rrit konkurrueshmërinë, rrit eksportet, rrit prodhimin vendas, rrit shërbimet, apo ke filluar një lloj shërbimi të ri në ekonomi, gjete gaz apo gjete naftë. Pra gjëra të kësaj natyre që natyrisht nuk mund të jetë qëllim në vetvete rritja e pagës. Qëllim në vetvete duhet të jetë rritja e ekonomisë që si pasojë rrit edhe pagat. Por jo rrisim pagat që të rrisim ekonominë, sepse nuk rritet ekonomia duke rritur pagat.” – shprehet Arben Shkodra.

Pagat mesatare në rajon

Duke rritur pagën mesatare në sektorin publik, qeveria synon të ndikojë edhe në nivelin e pagës mesatare të përgjithshme në vend duke iu përafruar vendeve të rajonit.

Vitin e kaluar paga mesatare bruto në Shqipëri rezulton 61,883 mijë lekë ose 545 euro.

Krahasuar me të dhënat e fundit zyrtare të disponueshme në vendet e tjera të rajonit, Shqipëria dhe Kosova rezultojnë me pagën mesatare bruto më të ulët në Ballkanin Perëndimor.

“Niveli i ulët i pagës mesatare mund të lidhet edhe me nivelin e lartë të punësimit në sektorin bujqësor, si dhe nivelin e nëndeklarimit të pagave që disa studime vlerësojnë se është më i lartë se vendet e tjera të rajonit. Por, mbi të gjitha, paga e ulët lidhet me nivelin e ulët të produktivitetit që ka Shqipëria.”- thotë eksperti për ekonominë dhe financat Enton Duro.

Por nga ana tjetër Shqipëria dhe Kosova janë dhe dy shtetet me të ardhurat më të ulëta në buxhet, në raport me Prodhimin e Brendshëm, nën 30%, ndërsa në shtetet e tjera, ky tregues luhatet mes 30-40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Paga mesatare bruto në vendet e tjera të rajonit luhatet midis 800-900 euro në muaj, ndërkohë që në Shqipëri mesatarja është 545 euro, një diferencë e ndjeshme mes të ardhurave që merr një punonjës në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, apo Malin e Zi në krahasim me një shqiptar.

Referuar të dhënave, pagën mesatare më të lartë në rajon e mban Bosnje Hercegovina me 893 euro. Më pas vjen Mali i Zi dhe Serbia, përkatësisht me pagë mesatare 885 euro dhe 880 euro. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare shkon në 780 euro.