Vdekja e Daorsës në Tetovë: Flasin familjarët, çfarë dihet deri tani
Mbrëmjen e 5 nëntorit, 24 vjeçarja Daorsa Spahija nga Kosova u gjet e vdekur poshtë objektit të një banese, u raportua që ajo është hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte. Prokuroria disa orë më vonë konstatoi se vdekja nuk është rezultat i ndonjë krimi, megjithatë familjarët dhe miqtë e viktimës thonë se vdekja e Daorsës lidhet me personin H.S. (30) nga Kumanova me të cilin ajo ishte në lidhje, i cili është i njohur për organet e rendit në RMV, shkruan Portalb.mk.
Pas inspektimit të vendit ku u gjet i pajetë trupi i viktimës, si edhe në apartamentin me qira ku ajo qëndronte, Prokuroria Publike njoftoi se sipas gjetjeve fillestare, nuk ka indikacione se vdekja ka ardhur si pasojë e ndonjë krimi, por hetimet po vazhdojnë me procedura të detajuara.
Pavarësisht interesit të madh, dhe derisa në opinion dhe media qarkullonin lloj-lloj informacionesh të paverifikuara, institucionet si Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme për ditë të tëra nuk kanë dhënë detaje për rastin.
Megjithatë familjarët theksojnë se rasti nuk duhet të trajtohet si vetëvrasje, pasi sipas tyre ka dyshime që pas saj qëndron i dashuri i vajzës.
Familjarët për Portalb: Daorsa kishte kërcënime nga i dashuri
Në një bisedë për Portalb.mk disa nga familjarët e viktimës folën për rrethanat e vdekjes së vajzës. Ata thonë se vdekja është nxitur apo është rezultat nga lidhja që e kishte me personin H.S (30) nga Kumanova, i akuzuar penalisht për armë, pasi vajza e kishte kuptuar se ai kishte qenë i martuar dhe me fëmijë.
Familjarët thonë se vdekja e vajzës nuk ishte thjesht vetëvrasje por e nxitur.
“E kemi vërejtur se ka pasur presion psikologjik, tejmase e ka xhelozuar, ia ka mbyllur të gjitha rrjetet sociale, ia ka humbur kontaktet me të gjitha shoqet që i ka pasur, ka filluar edhe me ne të i’a kufizojë kontaktet e mos të flasë, kur e kemi thirrur ajo thoshte ja në fakultet jam e zënë, ajo me siguri ka pasur dhunë fizike në ato momente, gjithmonë na ka ndërprerë telefonin me arsyetimin se se ju thërras për pak”, tha një familjare.
Familjarja thotë se natën e fatkeqësisë, një mjek u ka thënë familjes se vajza tre herë ka shkuar në emergjencë me shenja dhune dhe askush nuk e ka lajmëruar rastin.
“Ne kemi dëgjuar që natën që kanë shkuar ta verifikojnë trupin, një mjek i ka thënë një familjarit tonë që kjo tre herë ka ardhur në emergjencë me dhunë dhe nuk e ka lajmëruar askush policinë, aty edhe Spitali i Tetovës ka gisht se nuk bën ta lëshojë viktimën pa marrë parasysh nëse ajo ka insistuar mos të lajmërohet policia”, tha familjarja.
Familjarët shtuan se “gjatë kohës sa ka qenë Daorsa atje, e kanë sjellë në spital me mavijosje, rrahje dhe dhunë dhe askush raport mjekësor nuk ka lëshuar se dihet se ai ka qenë prezent se ai e ka dërguar vetë”.
“U kanë thënë kjo vajzë 3-4 herë ka ardhur me shenja dhune dhe raporte kurrë nuk kanë dalë”, tregoi një familjare tjetër.
Familarët thonë se Daorsa nuk i ka lajmëruar ata se përjeton dhunë fizike, por siç tregojnë, kanë vërejtur shenja. Ata pohuan se vajza nuk e ka paraqitur rasitn as në institucione.
“Unë jam e sigurt se kjo ka pasur kërcënime ose e ka shantazhuar me diçka siç i shantazhojnë vajzat… Ky e ka shantazhuar shumë, e ka kërcënuar, ne ja kemi parë gjendjen psikike vajzës”, tha ajo.
Ata apelojnë që organet e hetuesisë në Maqedoninë e Veriut ta trajtojnë rastin deri në fund dhe mos ta anashkalojnë.
“Edhe autoritetet e Kosovës kanë qenë dje, ne kemi besim që edhe shteti i Maqedonisë nuk do ta lërë këtë rast, duhet me e ngritë zërin jo vetëm për vajzën tonë se ajo ka shkuar, por për viktimat tjera që munden me ardhur dhe të përfundojnë si vajza jonë. Ne do të luftojmë deri në fund ligjërisht deri sa të del e vërteta”, tha familjarja.
Miku i Daorsës: I dashuri e shtyu drejt vdekjes
Ndërkaq, edhe miku i të ndjerës, Arbër Zhuba përmes rrjeteve sociale ka thënë se vdekja e Daorsës ishte rezultat i kërcënimeve dhe shantazheve nga i dashuri i saj H.S (30) nga Kumanova, i cili vitin e kaluar u kap me armë në RMV.
“Ajo u desh të diplomonte më 13 nëntor, nuk diplomoi për shkak se një kriminel që e ka gënjyer, ai nuk ka treguar që ka familje, të dashur e partnere, fëmijë. U përfshi në jetën e saj dhe kur u kuptua e vërteta, e ka kërcënuar, e ka shantazhuar dhe ia ka rrëmbyer dokumentacionin… edhe e ka kërcënuar gjithmonë që ti nuk e ke zgjishjen me shkuar te familja jote, nuk e ki zgjidhje me fol me njerëz tjerë, nuk e ke zgjidhje as me folë me stacionin e policisë…Kjo ka vazhduar me vite. Mbi 2 vjet lidhje me gjendje mentale të rënduar”, tha mes tjerash Zhubi.
Ministria e Brendshme: H.S. është thirrur në bisedë
Ministria e Punëve të Brendshme për Portalb.mk tha se e ndjera nuk kishte raportuar në polici për shantazhe, kërcënime apo dhunë. Sipas tyre, as dikush tjetër nuk ka raportuar diçka që lidhet me atë.
“Nga kontrollet e kryera në të dhënat e raportimit në Departamentin e Policisë së Tetovës, u konstatua se tani e ndjera D.S. nuk ka raportuar asnjë rast në stacionet policore në zonën e Departamentit të Policisë së Tetovës në lidhje me ankesa, kërcënime, presion ose dhunë ndaj saj, as nuk ka pasur ndonjë raportin nga ndonjënjë person tjetër lidhur me emrin e saj”, thanë nga Ministria e Brendshme.
Por nga policia konfirmuan se më 06.11.2025 në orën 10:30 të mëngjesit, personi H.S. (30) nga Kumanova është thirrur në Departamentin e Policisë së Kumanovës për bisedë zyrtare në lidhje me të ndjerën D.S.
Duke mos dhënë detaje të tjera, theksuan se Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Themelore të Tetovës, po ndërmarrin masa dhe aktivitete për të siguruar prova dhe dëshmi që mund të lidhen me ngjarjen në të cilën humbi jetën studentja D.S. (24) nga Kosova.
Prokuroria: Nuk ka shenja që vdekja është rezultat i krimit
Megjithatë, Prokuroria Publike thotë se hetimet vazhdojnë duke mos zbuluar detaje.
“Prokuroria Themelore Publike në Tetovë po ndërmerr veprime për të hetuar rrethanat e vdekjes. Aktivitetet e verifikimeve janë duke vazhduar. Shkaku i vdekjes është përcaktuar, rrethanat e tjera po hetohen. Deri në këtë pikë, nuk ka shenja që vdekja është rezultat i një krimi, por prokuroria dhe autoritetet hetimore kanë detyrimin të hetojnë të gjitha rrethanat”, thanë nga Prokuroria Publike.
Nga Prokuroria nuk tregojnë nëse hetohen kamerat përreth objektit, telefonat dhe ngjashëm
“Tashmë ju informuam se Prokuroria Themelore Publike e Tetovës po ndërmerr veprime për të hetuar rrethanat e vdekjes”, theksuan nga Prokuroria.
Familja nga Kumanova: Tentohet të njolloset emri jonë
Pas lakimit të emrit të tyre në media, familja nga Kumanova përmes një reagimi për Zhurnal ka demantuar pretendimet nga mediat rreth tyre.
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që pa asnjë fakt apo bazë ligjore, emri i familjes sonë është përmendur në mënyrë të papërgjegjshme. Sulmi mediatik që u bë ndaj nesh, akoma pa u zbardhur rasti, është një tentativë për të njollosur familjen tonë dhe për të deformuar perceptimin publik,” deklaroi një anëtar i familjes.
Kush është H.S(30) nga Kumanova?
H.S. (30) është i biri i B.S nga Kumanova i cili për opinionin është i njohur për raste të ndryshme të krimit.
H.S. më 29 dhjetor 2024 u privua nga liria pasi nga aksioni i SPB Shkup me datë 18.12.2024 në territorin e Komunës së Haraçinës, përgjatë rrugës lokale nga fshati Orllancë në fshatin Nikushtak, ku u gjetën nëntë pushkë automatike , një pushkë mitraloz dhe një sasi më e madhe municioni, pas marrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse dhe kryerjes së ekspertizës në Departamentin e Ekzaminimeve Forenzike, është konstatuar se armët i përkisnin H.S. (29) nga Kumanova.
Më pas, Njësiti për trafikim të paligjshëm në SPB Shkup ka parashtruar kallëzim penal me procedurë urgjente dhe më 30.12.2024, gjyqtari në procedurë paraprake i ka caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai akuzohej për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim pa leje me armë ose eksplozivë” sipas nenit 396, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal.
Pse u la në liri H.S pas gjetjes së armëve?
Në këtë rast, siç informoi Prokuroria për Portalb.mk, I pandehuri, me propozim të prokurorisë, ishte në paraburgim deri në mars të këtij viti, kur Gjykata e Apelit në Shkup vendosi të pranojë garancinë e ofruar, të heqë masën e paraburgimit dhe të caktojë masa paraprake.
“Procedura gjyqësore pas aktakuzës së ngritur për armët e gjetura është në vazhdim, dhe për rrjedhën e procesit gjyqësor, ju referojmë në gjykatën kompetente”, thanë nga Prokuroria Publike.
Por nga Gjykata Penale e Shkupit njoftuan se rasti është ende në gjykim, ndërsa nga Gjykata e Apelit deri në publikimin e këtij teksti nuk dhanë detaje për këtë rast.