Një 53 vjeçar nga Shkupi dyshohet se sulmoi një fëmijë: E goditi me shqelma dhe grushte, madje nxori edhe thikë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë kundër një 53-vjeçari të dyshuar për ushtrim dhune ndaj një fëmije 12-vjeçar tre ditë më parë në një bulevard në qendër të kryeqytetit. I dyshuari, siç njoftoi sot Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e sulmoi të miturin, duke e goditur me shqelma dhe grushte në trup, dhe gjithashtu nxori një thikë me të cilën i preu gomat e biçikletës fëmijës, transmeton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, 53-vjeçari akuzohet për veprën penale të dhunës ndaj një fëmije sipas nenit 201-a të Kodit Penal.

Në përshkrimin e shkurtër të krimit thuhet se incidenti ndodhi më 11 nëntor, në bulevardin “Krste Petkov Misirkov” në qendër të Shkupit, ku fëmija po ngiste biçikletë kur u ndal nga i dyshuari që po drejtonte një motoçikletë elektrike.

Sipas Prokurorisë, ai e sulmoi në mënyrë agresive të miturin pa asnjë arsye, duke e goditur me shqelma dhe grushte në fytyrë dhe trup.

“Në një moment, ai nxori edhe një thikë dhe e drejtoi nga fëmija, dhe më pas e goditi në kokë”, thuhet nënjoftim

I mituri arriti të shkëputej dhe të kërkonte ndihmë nga kalimtarët, dhe ndërkohë, i dyshuari mori biçikletën e tij, i preu të dy gomat dhe e hodhi në bulevard me qëllim që ta dëmtonte atë me automjetet që kalonin.

Pas incidentit, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes me motoçikletën, dhe fëmija u dërgua në Qendrën e Emergjencës.

Në njoftimin e Prokurorisë nuk tregon nëse dhe çfarë lëndimesh u gjetën tek i mituri.

Një prokuror publik kompetent i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për të përcaktuar  masë paraburgimi për të dyshuarin, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik arratisjeje.