Panairi Veror i Librit “Tetova 2023”, mërgimtarët kanë interesim të madh për librat për fëmijë

Deri më 11 gusht do të jetë i hapur Panairi Veror i Librit “Tetova 2023”, me qëllim për të qenë i qasshëm për më shumë mërgimtarë. Sipas Muhamed Asllanit, drejtuesi i Librarisë Nobel, mërgimtarët janë të interesuar më shumë për libra për fëmijë, raporton Portalb.mk.

Libraria “Nobel” këtë vit ka vendosur ta rrit kohëzgjatjen e panairit të librit, edhe për të rritur numrin e vizitorëve edhe për shkak të mërgimtarëve që kthehen në periudha të ndryshme gjatë verës. Sipas drejtuesit të “Nobelit”, ndonëse ka vizitorë që vijnë me kërkesat e veta për tituj të librave, shumica kërkojnë ndihmë ose sugjerime nga shitësit. Kjo shihet si diçka pozitive nga libraria, meqë nënkupton se përveç audiencës së zakonshme të lexuesve, hapja e panairit ka tërhequr edhe lexues fillestarë kureshtarë.

Të intervistuar nga Portalb.mk, punonjësit e Nobel që janë angazhuar në panair thanë se mërgimtarët kanë frekuentuar panairin më shumë të interesuar për libra për fëmijë, sidomos për abetare. Pas tyre, librat me përralla janë të dytët me më shumë shitje.

“Kërkojnë abetare ose libra me përralla, duan që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën shqipe” thotë Muhamed Asllani, drejtues i Nobelit.

panairi, fëmijë, libra, familje
Mërgimtarë në panair

Përveç mërgimtarëve, Tetova tërheq edhe të rinj nga qytetet përreth ku ka mungesë të librave shqip, sidomos studentë shqiptarë që shkaku i studimeve ose punës jetojnë në qytet tjetër. Tani që është periudha e pushimeve, ato vizitojnë më shpesh Tetovën dhe si rezultat edhe panairin.

“Për momentin në Shkup nuk ka diku ku shesin libra shqip, sidomos libra të ri ose romane të përkthyera. Rrallë herë ndodh të ketë ndonjë libër më të vjetër të përkthyer në shqip, mirëpo në libraritë që e ofrojnë këtë ka vetëm një raft me kësisoj librash. Zakonisht i blejmë online me porosi, po unë vi shpesh edhe në Tetovë”, thotë E.A, studente e arkitekturës në Shkup.

Çfarë shitet më shumë?

panair, libra
Foto nga Panairi Veror i Librit

Sipas shënimeve të librarisë, në përgjithësi njerëzit kërkojnë të blejnë libra pak më të lehtë për t’u lexuar, si nga tematika ashtu edhe nga fjalori i përdorur. Si pasojë, interesimi më i madh ka qenë për librat psikologjik – motivues, si “48 Ligjet e Pushtetit” nga Robert Greene dhe “Shprehi Atomike” të James Clear.

“Në librari njerëzve u vjen pak rëndë të hyjnë dhe të dalin pa blerë diçka, kështu që shohim më shumë njerëz në panair që nuk janë klientë të rregullt. Vijnë, u hedhin një sy librave, shpesh kthejnë më vonë ose ndonjë ditë tjetër për të blerë një libër që u ka mbetur në mëndje.” deklaron për Portalb.mk një nga shitëset në panair, “Është interesante se së pari i shikojnë librat bestseller, por në fund blejnë libra psikologjik – motivues. Ndoshta librat e romancës dhe fantazisë i shohin më shumë si një aventurë, një histori që do e lexojnë për fundjave dhe do e harrojnë”, thotë ajo.

Të rinjtë interesohen gjithashtu për libra veror me tematika të jetës së përditshme, dashurisë dhe filozofisë. Në këtë zhanër kanë dominuar autoret si Colleen Hoover, Danielle Steel dhe Elif Shafak.

Përveç këtyre, te mërgimtarët është vërejtur një tendencë për të kërkuar edhe libra historik, sidomos “Një racë e harruar” nga Edouard Schneider dhe “Fiset Shqiptare” nga Robert Elsi.