Ushtria e Maqedonisë së Veriut e shënon 34-vjetorin e themelimit, akuza nga opozita për përjashtim të shqiptarëve

Në Shkup dhe në Shtip sot me disa aktivitete po shënohet 34-vjetori i themelimit të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë në fokus të kësaj dite është vendosur deklarata e ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski i cili ushtrinë e vendit e quan maqedonase dhe jo të Maqedonisë së Veriut, për çka kanë reaguar nga BDI-ja opozitare duke thënë se ministria po e përjashton kontributin e shqiptarëve, raporton Portalb.mk.

“Me rastin e 18 Gushtit, ditës kur u formua Ushtria maqedonase, u përkulëm para luftëtarëve që dhanë jetën për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur. Me nderime ushtarake vendosëm kurora me lule të freskëta në Varrezat Partizane dhe në varret e presidentit të vrarë Boris Trajkovski, ish-presidentit Kiro Gligorov dhe gjeneralit Mihajlo Apostollski”, shkroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski në Facebook.

Nga BDI-ja opozitare thanë se në Ditën e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Mbrojtjes e prezantoi zyrtarisht atë si “Armata Maqedonase”.

“Në rendin kushtetues, përcaktimi “maqedonas” lidhet vetëm me identitetin etnik të popullit maqedonas, ndërsa emri zyrtar është Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo u përket të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive që e përbëjnë shtetin. Ndoshta Ministria, pa dashje, ka përshkruar realitetin që vetë Qeveria po krijon. Shqiptarët janë larguar sistematikisht nga pozitat e larta dhe nga qendrat vendimmarrëse në sektorin e mbrojtjes. Armata financohet edhe nga taksat e shqiptarëve”, thanë nga BDI.

Si ditëlindje e Ushtrisë është zgjedhur 18 gushti ndërsa procesi i formimit të ushtrisë filloi në vitin 1992.

Sot, Ushtria e Maqedonisë së Veriut është pjesë përbërëse e sistemit më të madh kolektiv të sigurisë, pasi vendi në mars të vitit 2020 u bë anëtare e plotë e NATO-s.