Rusia devijon sistemin mbrojtës S-400 për të goditur qytetet ukrainase, duke lënë të pambrojtur territorin e saj
Moska ka ndryshuar rrënjësisht funksionin parësor të sistemit të saj kryesor kundërajror S-400, duke e shndërruar nga një mburojë për mbrojtjen e territorit rus në një instrument sulmi për të goditur qytetet e Ukrainës. Fillimisht i projektuar për të mbrojtur hapësirën ajrore, infrastrukturën dhe forcat ruse nga avionët, dronët dhe raketat armike, ky sistem tokë-ajër tani po modifikohet për përdorim tokë-tokë, krahas arsenaleve të tjera sulmuese. Pasi përdori raketat S-300 kundër objektivave tokësore, Rusia e zgjeroi këtë praktikë edhe te raketat e lidhura me sistemin S-400. Ndonëse kjo metodë fillimisht synonte të kompensonte mungesën e sistemeve sulmuese me rreze të gjatë, ajo ka vazhduar pavarësisht rritjes së konsiderueshme të prodhimit të raketave në Rusi, shkruan Portalb.mk.
Raketat e modifikuara të sistemit S-400 arrijnë një rreze maksimale veprimi prej rreth 350 kilometrash dhe mbajnë një ngarkesë prej 180 kilogramësh. Modifikimi i tyre përfshin kryesisht shtimin e një sistemi kundër bllokimit të sinjalit (counter-jamming) me qëllim rritjen e saktësisë. Kjo qasje e Moskës përfshin një kombinim të gjerë armatimesh, duke filluar nga dronët sulmues dhe raketat kundërajrore të modifikuara, e deri te bombat e drejtuara rrëshqitëse dhe raketat balistike të Koresë së Veriut. Synimi kryesor i kësaj strategjie është rritja e volumit të goditjeve paralele dhe konsumimi i kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës. Duke i shtuar këto raketa krahas sistemeve Iskander, Kinzhal, Tsirkon dhe raketave të lundrimit, Moska synon ta bëjë interceptimin tejet të vështirë, veçanërisht për sistemet interceptuese PAC-3 të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakta në Ukrainë.
Përdorimi i këtyre raketave në modalitetin tokë-tokë paraqet një rrezik të madh për zonat e banuara. Duke qenë se janë dukshëm më pak të sakta se raketat balistike të ndërtuara posaçërisht për objektiva tokësorë, saktësia e tyre degradon në rreze të gjata, gjë që rrit ndjeshëm rrezikun ndaj civilëve. Koka e tyre fragmentuese, e krijuar fillimisht për shkatërrimin e caqeve ajrore, shpërndan copa të shumta metalike në një sipërfaqe të gjerë. Shembuj të tillë janë shënuar më parë: në shtator të vitit 2022 nga një goditje e tillë ndaj një autokolone civile në Zaporizhzhia u vranë 32 persona dhe u plagosën 118 të tjerë, ndërsa në prill të vitit 2023 një sulm i ngjashëm në Sloviansk la 15 të vrarë dhe 24 të plagosur.
Nga ana tjetër, vendimi i Kremlinit për të zhvendosur kapacitetet mbrojtëse drejt sulmit po dobëson sigurinë e vetë qytetarëve rusë. Teksa dronët ukrainas godasin thellë brenda territorit rus rafineritë, depot e karburantit dhe magazinat e kompanisë Wildberries, popullata ruse po përballet me mungesa karburanti, humbje kapitale për bizneset e vogla e të mesme nënkontraktore dhe dërgesa të parealizuara për blerësit online. Një rast i tillë u regjistrua më 8 gusht 2026 në Krasnodar Krai, ku një bateri S-400 pranë Gelendzhikut lëshoi gjashtë raketa drejt Ukrainës në mëngjes, por vetëm pak orë më vonë u godit vetë nga dronët ukrainas. Duke zhvendosur një pjesë të mbrojtjes ajrore drejt kryeqytetit dhe selisë së pushtetit për të mbrojtur qendrën, Moska ka lënë të ekspozuar pjesën tjetër të popullsisë dhe infrastrukturës ruse. Kështu, arma që u krijua për të qenë mburojë kombëtare po përdoret nga Kremlini si armë sulmi.