U gjetën mbetje mortore të një personi të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë

Në Prizren janë gjetur eshtrat e një personi të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, në kuadër të gërmimeve të cilat po bëhen nga ekspertë në kërkim të të zhdukurve me forcë gjatë luftës, transmeton Anadolu.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bën të ditur se në zbatim të Planit të Punës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e varrezave në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.

“Gërmimet e filluara paradite kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave (mbetjeve mortore) të minimumi një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur”, thuhet në njoftimin e komisionit qeveritar.

Më tej bëhet e ditur se pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Në Kosovë, që nga lufta e vitit 1998-1999, vazhdon të mos dihet ende fati i mbi 1.600 personave.