“Udhëtari është një zhvendosje në hapësirë, në kohë dhe në hierarkinë shoqërore.”
Lévi-Strauss
Lëvizja prej një vendi në një vend apo mobiliteti gjeografik është një kategori humane instinktive; udhëtimi-shtegtimi drejt një vendarritjeje me një qëllim dhe për një kohë të caktuar përbën një institucion social që ka lënë gjurmë të thella në zhvillimin kulturor dhe qytetërimor të njeriut, pa marrë parasysh përkatësinë e tij. Ndonëse sot ka marrë formë të turizmit, udhëtimi mbetet një term klasik më përfshirës dhe me më tepër frymë në vete.
Vepra Islami dhe udhëtimet në mesjetë i H. Touati-ut nga EHESS (Shkolla për Studime të Avancuara në Shkencat Sociale), publikuar në shqip nga Logos-A, paraqet një studim që trajton një tematikë specifike, atë të rihla-s si “udhëtim”, si journeying (Constable, 2011), si travelogue apo “rrëfim udhëtimi”, si një veprimtari e pandashme me historinë e Islamit që nga zanafilla e tij, pas të cilës muslimanët e mesjetës kanë qenë “të çmendur” (Logan, 2015). Duke u nisur nga teza se “asgjë nuk krahasohet me një fakt të konstatuar”, muslimanët e shndërruan udhëtimin në një nga aktet madhore intelektuale (f. 265), në instrumentin kryesor të hermeneutikës së tyre të hapësirës.
Ky tekst shkencor vë nën llupë periudhën me shekujve VIII dhe XII, nga rihla si kërkim i dijes deri te e shndërruara në zhanër të veçantë, udhëpërshkrim apo rrëfim udhëtimi (Sohrabi, 2012). Në të ndërthuren dimensionet epistemologjike, gjeopolitike dhe ekonomike të udhëtimit të muslimanëve të periudhës së zënë ngoje, duke pasqyruar faktin se atëbotë hadithologët kanë udhëtuar për të mbledhur dhe verifikuar thëniet e Profetit; gjuhëtarët dhe përpiluesit e fjalorëve kanë vizituar zonat e shkretëtirës për të mësuar idiomat dhe përdorimin e gjuhës arabe nga beduinët; gjeografët kanë eksploruar territore të reja; biologët kanë studiuar florën dhe faunën, udhëtarët kanë qenë në kërkim të shqyrtimit të kulturave dhe shoqërive dhe studentët në përgjithësi udhëtonin për studimet e tyre akademike (Kidwai, 2011).
Në këtë libër autori tregon se tradita islame është “bijë e udhëtimit”; se ky lloj mobiliteti social që e përsos mendjen ka qenë bosht i botës islame mesjetare; ai përshkruan bredhjet e mijëra kilometrave kryq e tërthor gjeografisë islame, nga njëri te tjetri skaj i dar el-islami-it apo islamicate-it, nga Spanja në Indi, komunikimin dhe dëshmitë okulare nga të gjitha shtresat shoqërore, fletorkat e panumërta me shënime relevante të dorës së parë. Aty do të gjeni exempla (shembuj) udhëtimi nga figura të shquara si: Abdullah ibn Mubareku, Ebu Amr ibn Ala’, Ebu Bekr ibn Arabiu, Ahmed ibn Hanbeli, Bistamiu, Buhariu, Dhunnun Misriu, Esma’iu, Xhahidhi, Xhunejdi, Hatib Bagdadiu, Malik ibn Enesi, Mes’udiu, Mukaddesiu, Shafi‘iu etj. Touati, subjektin e kësaj trajtese pos me autoritete të dijes, në mënyrë brilante e ndërlidh edhe me terminologji të pasur islame si: sefer (udhëtim), sijâha (bredhje mistike), haber (lajm), mushâfehe (bisedë gojore), edeb (edukatë), isnad (zinxhir transmetuesish), ilm (dije), gazv (inkursion), zuhd (asketizëm), tabakat (biografi), risâle (trakt) e të ngjashme.
Sipas tij, aktorët mesjetarë islamikë të udhëtimit apo shtegtimit, që kanë përjetuar aventurë, vështirësi të “shkollës së shkretëtirës”, përvojë intelektuale dhe zhvillim fetar (Constable, 2011), duke synuar “ngjashmërinë” dhe krijimin e një vatre të vetme (memleke) kanë gjezdisur hapësirën e vetvetes, nuk kanë shkuar “tjetërkund”, kanë prodhuar dije për vetveten (self-knowledge), gjë që ndryshon nga realiteti i traditës perëndimore e cila nga shek. XIV e këndej, për shumë arsye, ka qenë e orientuar jashtësisht, në kërkim të “tjetërsisë” (otherness) (Pinto, 2014).
Ky tekst i historisë, antropologjisë dhe përtej, ndonëse vjen në një kohë kur flitet për fin de voyage (fundin e udhëtimit), kur F. Moureau në “L’imaginaire vrai” konstaton vdekjen e literaturës së udhëtimit, hap horizonte në shumë sfera kërkimore-studimore dhe mund të jetë doracak për çdokënd që është i interesuar në frymën e vërtetë të një epoke. Aty qartësisht zbërthehet profili i udhëtarit dhe dijetarit eksplorues që për maksimë ka pasur dëshminë e drejtpërdrejtë [mushâhede] dhe “konstatimin de visu” (mu‘âjene), shprehjen “shkoj, shikoj, dëgjoj dhe shkruaj”. Shpresojmë që lexuesit e Touati-ut, në kohën e fetishizimit të spektaklizimit të thuajse çdo gjëje, të ndryshojnë perceptimin për udhëtimin jo vetëm si çështje ekonomike, turistike, aventurë dhe hedonizëm por edhe si mësimmarrje, vetë-kultivim, si vetë-ngritje, gjithnjë duke pasur parasysh urdhrin hyjnor “udhëtoni nëpër botë…” dhe urtësinë popullore: “s’janë të njëjtë njeriu i dalë (i shëtitur) dhe i padalë”.
Ta përmbyllim me fjalët e vetë autorit: “Duke pritur që të zhvillohen udhëtimet yjore, të cilat padyshim do të jenë aventurë e madhe njerëzore e shekullit XXI, përditësimet historike në kohë janë mënyrë e përkryer për të konstatuar që Unë jam Tjetri”. Këtë të fundit me sa duket s’po e kuptojmë dot andaj mikro dhe makro përleshjet janë bërë zakon i kohës sonë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.