U zgjodh kryetari i ri i Novi Sadit, protesta dhe përleshje me policinë

Zharko Miqin u zgjodh kryetar i Novi Sadit në seancën e Komunës. Këshilltarët e opozitës pohojnë se janë penguar të hyjnë në objekt dhe të marrin pjesë në seancë, gjë që është mohuar nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë dhe MPB-ja e Serbisë. Qytetarët hodhën vezë ndaj policisë, ndërsa këshilltarët tentuan të çajnë kordonin para hyrjes, transmeton Portalb.mk.

Një numër i madh i policëve, të cilët ishin brenda që në mëngjes herët, dolën nga ndërtesa e bashkisë dhe pastruan sheshin para Kuvendit të Novi Sadit derisa seanca po mbahej brenda.

Seanca për zgjedhjen e kryetarit të Novi Sadit ishte caktuar për në orën 10 të mëngjesit. Policia me pajisje për protesta, mburoja, helmeta dhe qen policie mbërriti më herët në autobusë dhe furgona dhe makina të shumta policie.

Në seancën e bashkisë së qytetit, e cila u mbajt pa praninë e opozitës, u rizgjodh Gjuragj Jakshiq për nënkryetar të Novi Sadit. Anëtari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Zarko Miqin, i cili në fund të shkurtit u propozua për kryetar të ri të Novi Sadit, është zgjedhur si personi i parë i qytetit.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka uruar Zharko Miqin për zgjedhjen e tij dhe ka vlerësuar se opozita “e ka treguar edhe një herë se politika e tyre e vetme është dhuna dhe e vetmja ideologji e tyre është urrejtja” dhe se “më shumë duken si terroristë se sa politikanë”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike (DS), Nebojsha Novakoviq, ka thënë sot se me zgjedhjen e Zharko Miqinit për kryetar komune, qytetarët nuk kanë marrë asgjë.