U tërhoq lënda e Edukimit Githëpërfshirës Seksual në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur ta tërheqë lëndën zgjedhore të Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual nga shkollat e mesme, raporton Portalb.mk.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se programi mësimor është tërhequr për tu rishikuar pas reagimeve lidhur me futjen e kësaj lënde si zgjedhore për nxënësit e shkollave të mesme nga viti i parë deri në të katërtin.
“Për momentin e kemi tërhequr programin dhe lëndën dhe do të bëjmë një rishikim të thellë, me kërkesë të opinionit publik, për të parë nëse vërtet në program ka diçka për të cilën mund të ketë vërejtje. Në program ka tema si familja, mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mbrojtja nga shtatzënia e padëshiruar, barazia gjinore dhe mosdiskriminimi ndërmjet gjinive. Por, po e përsëris, tashmë i kam kërkuar Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, sepse unë nuk jam eksperte në këtë fushë, por edhe personalisht do të angazhohem që ta shqyrtojmë programin fjalë për fjalë dhe të shohim se çfarë është problematike në të”, deklaroi Janevska.
Janevska theksoi se ekzistojnë dëshmi shkencore se edukimi seksual mund të ketë efekt pozitiv te të rinjtë, veçanërisht në periudhën e jetës kur ata përballen me çështjet e përfshira në këtë lëndë.
Ajo sqaroi gjithashtu se lënda ishte paraparë si zgjedhore, që do të thotë se nxënësit nuk do të ishin të detyruar ta ndiqnin, por do të mund të zgjidhnin vetë nëse dëshironin ta mësonin.
“Detyrë e ministres së Arsimit dhe Shkencës është t’i dëgjojë të gjithë ata që kanë çfarëdo komenti për sistemin arsimor”, theksoi Janevska.
Pas përfundimit të rishikimit do të bëhet e ditur nëse dhe në çfarë forme lënda do të ofrohet sërish në shkollat e mesme.
Në shkollat e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka lëndë të posaçme për edukimin seksual. Edhe pse janë ndërmarrë përpjekje për ta futur atë si lëndë zgjedhore dhe janë zbatuar programe pilot në disa shkolla, edukimi gjithëpërfshirës seksual ende nuk është pjesë e kurrikulave shkollore.
- LEXO: HERA: Shumë dezinformata rreth edukimit seksual në RMV, megjithatë ka progres
- LEXO: 12 foshnje nga nëna nën 15 vjeç në një vit: Shtatzënitë e hershme në RMV, mbi mesataren e BE-së
- LEXO: Heshtje në shkolla, zhurmë në rrjete: Si rriten adoleshentët pa edukim seksual, bisedë me Sheruze Osmani Ballazhi
- LEXO: Vetëdiagnostikimi online, mjekja Qamili: I rrezikshëm për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, të vizitohet mjeku