U shfaq premiera e serialit shqiptar “Prokurori”, regjisori Fatmir Doga: Shumë shpejtë do ta sjellim në Shkup, mezi presim!

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u shfaq premiera e episodit të parë të seralit të shqiptar “Prokurori”, me regji nga Fatmir Doga dhe producentët Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Pas suksesit në Tiranë, episodi i parë i serialit “Prokurori” u shfaq edhe në Prishtinë. Në një intervistë për Portalb.mk, regjisori Fatmir Doga mes tjerash tha se nuk beson që ka “Oskar” më të bukur në botë sesa “të shohësh popullin tënd që lënë punën dhe jetën e tyre personale për të ndarë me vëllezërit, me motrat e tyre një punë që me modesti është bërë, me shumë përkushtim e dashuri.”

Në këtë serial trajtohet lufta e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik. Por, e veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një prodhim shqiptar e aktorit të madh hollivudian, Danny Glover, i cili njihet nga publiku shqiptar për rolet legjendare në filma si Lethal Weapon (me Mel Gibson), The Color Purple, Predator 2, Saw etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në realizimin e saj.

Me regjinë e jashtëzakonshme të Fatmir Dogës, filmi sjell historinë e Mentor Likës, një prokuror shqiptar, që e do atdheun më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk mposhtet nga bandat kriminale apo politikanët e korruptuar. Për të, dashuria për vendin është më e fortë se interesat e atyre që nuk kanë atdhe në zemër.

Roli kryesor i është besuar aktorit të talentuar Klodian Hoxha, ndërsa në role të tjera përfshihen edhe aktorë të tjerë të njohur të filmit shqiptar, si Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj. Seriali është një nga realizimet e fundit të kinemasë shqiptare, i cili u shfaq për herë të parë në Tiranë për të vijuar edhe në gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë.

Portalb.mk: Seriali i parë shqiptarë “Prokurori” episodin e parë e keni shfaqur në Tiranë pastaj në Prishtinë, na tregoni si u mirëprit nga publiku dhe cili ishte reagimi i tyre?

Fatmir Doga: E para faleminderit shumë për interesimin, e vlerësojë pa masë, kur bëhet fjalë që të komunikojmë me shqiptarët e Maqedonisë. Në lidhje me premierën që u zhvillua në Tiranë, ishte diçka që të them të drejtën, as vet nuk e prisja. Nuk kisha menduar kurrë që do të gjeja një atmosferë dhe një interes aq të madh në Tiranë.

Në lidhje me pjesën e parë të filmit “Prokurori”, e njëjta gjë ndodhi edhe në Prishtinë, në një formë krejt tjetër, por e njëjta gjë ndodhi, një interes i paparë, diçka që akoma jam në atë atmosferë, më dukej vetja sikur jam duke marrë “Oskar”.

Portalb.mk: Çka flitet në këtë film, na trego më gjerësisht?

Fatmir Doga: Është pjesa e parë e këtij seriali, fillon nga mesi i vitit 2000, është momenti që Amerikanët sapo kan vendosur, që ti ndihmojnë autoritetet shqiptare t’drejtësisë, që të bëjnë një reformë të thellë në drejtësi.

Përveç kësaj që është linjë paralele në të cilën luan edhe aktori i njohur Hollivudian Danny Glover, pasqyrojmë me vërtetësi momentin në të cilën kalon Shqipëria në periudhën mes viteve 2000. Jemi munduar që të japim pakë nga gjitha elementet që të parapërgatitemi pastaj që të vazhdon ngjarja me dymbëdhjetë pjesë dhe pse jo me pesë sezone.

Filmi prokurori gjatë gjirimeve, nga faqja zyrtare e regjisorit Fatmir Doga
Filmi prokurori gjatë gjirimeve, nga faqja zyrtare e regjisorit Fatmir Doga

Portalb.mk: Ky film flet për përditshmërinë e popullit shqiptar, në fokus ka reformën për drejtësi, përballje me krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikave të korruptuara, sa arritët këto probleme t’i shfaqni në film?

Fatmir Doga: Me thënë të drejtën, ishte një interes i paparë i sistemit drejtësisë që është sot, me një fjalë për njerëzit që punojnë gjyqtarë, prokuror, avokat, Një interes i paparë dhe kishte shumë njerëz të pranishëm aty atë natë nga sistemi i drejtësisë, sepse siç kuptova nuk është bërë deri më sot një film që të vendosi atë dritën ose fokusin te njerëzit që bëjnë sistemin e drejtësisë.

Ky nuk është film që merret vetëm me ata, por kur ti bën film aksion, dhe kur ti bën një film ku krimi i organizuar, politikanët e korruptuar te të gjitha shtresave d.m.th. janë të lirë që të bëjnë çfarë tu dojë kokrra e qejfit me shoqërinë, me popullin e tyre.

Edhe pastaj në një moment dikush na ndihmon, siç janë Ambasada Amerikane e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, na ndihmon të kemi një sistem drejtësie siç e kanë të gjitha vendet perëndimore, atëherë këtu fillon problemi, sepse këto njerëz që kanë kryer krime dhe këto njerëz që kanë bërë korrupsion të përgjigjen para drejtësisë, dhe kjo shkakton aksion, kjo shkakton interesim në masat e përgjithshme. Kështu që unë kam marrë komplimente nga gjyqtarë, janë emocionuar, u janë mbushur sytë me lot kur shikojnë nga afër një person, një familjar, një prokuror në të cilat ai kalon për të mbrojtur, sepse jo të gjithë janë të korruptuar.

Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë vuajtur kurrë nga heronjtë, siç ka pasur heronjtë që kanë shkuar në luftë, heronjtë që kanë kontribuar në të drejtat e shqiptarëve, kemi edhe heronjtë modern që janë prokurorët, njerëzit qe bëjnë drejtësi, gjygjtarët. Kam marrë komplimente të jashtëzakonshme, nuk e prisja sepse normal fokusi im nuk ka qenë se si do reagojnë ata, sepse kjo është temë komerciale, është bërë për gjitha shtresat e shoqërisë.

Portalb.mk: Sa kohë u dashtë që ta sillni te publiku këtë serial?

Fatmir Doga: Neve faktikisht e kemi filmuar filmin para një viti e bëmë montimin, pritëm momentin e duhur, fatmirësisht në Shqipëri, sidomos në Shqipëri, duket sikur është ringjallur kinemaja sidomos në këto dy vitet e fundit.

Ka pasur një fluks të madh nëpër kinema, nëpër media, dhe ne nuk donim të dilnim në të njëjtën kohë me ta, kështu qe ne gjetëm një moment të përshtatshëm siç ishte tani. Një vit ka marrë kohë për ta përgatitur pjesën e parë, tani ne do të fillojmë njëmbëdhjetë pjesët e tjera të sezonit të parë. Ky serial në përgjithësi do të ketë dymbëdhjetë pjesë.

Portalb.mk: Pasi në Tiranë dhe Prishtinë u prezantua filmi, kur do ta sillni këtë film edhe në Shkup, me dëshirën më të madhe e presin që të shfaqet edhe në kinematë tona?

Fatmir Doga: Me të thënë të drejtën, jemi duke bashkëbiseduar me autoritetet e Cineplexit, jo tani por ka qenë që në ditën e parë kur kemi biseduar, edhe po shikojmë mundësinë që do vim, d.m.th. producenti, dhe i gjithë stafi qe merret me promovimin janë duke biseduar me persona që merren me atë punë. Mezi pres, nuk do të jete e largët, do të jetë shumë afër. Nuk e kam akoma ditën zyrtare sepse po merren të gjitha parapërgatitjet, po të them të drejtën mezi po pres që të vi atje.

Është hera e parë që unë paraqitem para publikut shqiptar, sepse projektet e tjera i kam bërë në Amerikë, për publik ndërkombëtar. Mezi pres të vi në Shkup.

Portalb.mk: Pasi jeni duke e shijuar ende këtë sukses, a do të jetë një shtysë për të vazhduar edhe më tej për ta pasuruar kinematografinë shqiptare?

Fatmir Doga: Më vjen shumë mirë që ma bëre këtë pyetje, sepse disi nuk e kisha theksuar sa duhet, se sa me fat jam unë, e përmenda edhe natën e premierës, nganjëherë vras mendjen këto shqiptaret ik këtu ik andej sukses gjithandej, po si mund që mos kesh sukses, ku ke një publik aq të madh, publiku shqiptarë është i papërsëritshëm. Si njerëz që as nuk të njohin, nuk e kanë fare idenë se, as kush je, e as si dukesh, marrin guximin të futen online, vinë aty të komentojnë, të falin aq shumë dashuri e respekt.

Kjo dashuri e madhe që merret nga publiku shqiptarë, nga të gjitha trevat shqiptare edhe nga diaspora është një shtysë, është një përgjegjësi e madhe për të gjithë neve, qoftë politikanë, qoftë artistët kushdo që të jetë, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, që duhet të na shty dhe qe na shtynë që mos ti zhgënjejmë këto njerëz kaq të mrekullueshëm që janë publiku shqiptarë.

Filmi prokurori gjatë gjirimeve, nga faqja zyrtare e regjisorit Fatmir Doga
Filmi prokurori gjatë gjirimeve, nga faqja zyrtare e regjisorit Fatmir Doga

Portalb.mk: Të gjithë shqiptarët besoj e kanë nderin që ju me këtë serial e keni pasuruar kinematografinë shqiptare…

Fatmir Doga: Shpresoj, unë faktikisht i përkas një stili tjetër të kinematografisë, asaj amerikane, kinematografia Evropiane është pak më dramë, është më e ngadaltë, zakonisht janë më të thella nga ana psikologjike. Kurse kinematografia Amerikane siç e dimë të gjithë është më aksion, është më e shpejtë, më e lehtë për tu kuptuar, e përcjell mesazhin një lloj sikur kinematografia Evropiane, sepse po nuk përcolle një mesazh, një filozofi kot ske bërë asgjë, por e përcjellë aq sa duhet d.m.th. nuk e tepron, u thot diçka të gjithëve atyre shtresave të shoqërisë.

Portalb.mk: Kur e keni në plan ta sillni episodin e dytë të këtij seriali ?

Fatmir Doga: Edhe producenti e bëri të qartë, edhe ne e kemi të përcaktuar që në janar do fillojmë, dhe çdo muaj ne do sjellim nga një episodë.

Nuk e di por ma merr mendja nga fillimi i pranverës që vjen, do vi edhe episodi i dytë dhe i tretë. Në kinema do sjellim gjithmonë dy episode, që të jetë sa që është një film i metrazhit të gjatë. Është gjithmonë i modifikuar, që për teatër të mos ngelesh gjithmonë i varur që të presësh, do të shtyjë kurioziteti se si do vazhdon ngjarja. Është një risi, nuk e ka marrë më parë dikush rrezikun që ta bëjë, por ne e vendosëm, edhe me thënë të drejtën interesi është i paparë, sepse kushdo që shkon në kinema kënaqet, shikon një ngjarje, shikon diçka të bukur, aktrim ashtu siç aktrojnë të gjithë aktorët e Hollivudit. Besoj që nga fillimi i pranverës që vjen, do të kemi pjesën e dytë dhe të tretë në kinema. Në fund të vitit pastaj do të kemi të gjitha 12-të pjesët e sezonit të parë.

Portalb.mk: Si ka ecur bashkëpunimi me gjithë stafin e realizimit të filmit?

Fatmir Doga: Ka qenë gjithçka në mënyrë profesionale, çdokush ka bërë punën e vet. Jam aq i kënaqur nuk di si ta shpreh me fjalë për grupin e punës që e kam. Respektohet piramida që të gjithë punojnë që ideja e regjisorit të jetë ashtu siç e ka menduar ai, e pandryshueshme, dhe me këtë jam shumë me fat.

Portalb.mk: Një mesazh për audiencën?

Fatmir Doga: Dua të shtoj dhe një gjë të vogël që disi me ka rrëshqitur edhe më përpara, se kam thënë që shqiptarët e Maqedonisë, Maqedonia e Veriut në përgjithësi si shtet edhe Kosova por dhe vendet e Ballkanit, janë pjesë e historisë. Ky nuk është një film, që ka të bëjë vetëm me shqiptarët e Shqipërisë, ne do të kemi filmime edhe në Tetovë në Shkupdhe në shumë vende tjera të Maqedonisë, do kemi filmime edhe në Angli, Serbi, Kroaci, Itali dhe gjithandej. Shqiptarët janë pjesë integrale e ngjarjes dhe jo vetëm.