U rrit përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë në RMV, mjekët kërkojnë ndryshime urgjente në Ligjin për duhanin
Përdorimi i cigareve elektronike te të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është rritur me 10% gjatë katër viteve të fundit. Për këtë arsye, mjekët kërkojnë reagim të menjëhershëm, transmeton Portalb.mk.
Doktor David Zdraveski nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP) tha se në vitin 2020, 21% e të rinjve kanë përdorur cigare elektronike, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër është rritur në pothuajse 30%.
Ai theksoi se duhen masa të shpejta për të mbrojtur shëndetin dhe të ardhmen e tyre. Sipas tij, institucionet nuk mund ta përballojnë problemin të vetme, duhet bashkëpunim mes shkollave, sektorit të shëndetësisë dhe familjeve.
Doktor Martin Petrovski nga IShP tha se ekzistojnë lëshime të mëdha sistemike që kanë lejuar që këto produkte të jenë tërheqëse për të rinjtë.
Sipas tij, kjo është kështu për shkak të reklamimit të përhapur kudo, për shkak të faktit që ato ende nuk janë rregulluar plotësisht me Ligjin për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit.
“Me aromat, ngjyrat, disponueshmërinë e tyre të lehtë dhe mungesën e kontrollit ndaj shitjes së tyre, madje edhe me reklamimin e tyre në rrjetet sociale, pothuajse të gjithë influencerët, blogjet, podkastet i kanë sponsorë këto produkte… Janë në proces e sipër, pra janë paraparë disa ndryshime në Ligj. Do t’i shohim në muajt e ardhshëm”, tha Petrovski.
Ai shtoi se promovimi i zakoneve të shëndetshme duhet të fillojë në shkolla. Petrovski, i cili punon edhe në info linjën e IShP-së për lënien e duhanit, tha se nga të rinjtë ndihmë kanë kërkuar vetëm një ose dy të mitur.
Sociologu Mile Ginovski theksoi se situata po përkeqësohet për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit, njohurive dhe përgjegjësisë brenda institucioneve që duhet ta monitorojnë problemin.
Këto komente u bënë gjatë forumit të organizuar nga Shoqata e Maqedonisë për Parandalimin e Alkoolizmit, Luftën Kundër Duhanpirjes dhe Abuzimit me Drogat, si dhe Luftën Kundër Varësive të Tjera në Shtëpinë e Organizatave Humanitare “Dare Xhambaz”.