U publikua raporti i KSHPK-së: Jo gjitha institucionet në RMV kanë rregullore për konfliktin e interesit, nevojitet forcim i kapaciteteve

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka miratuar dhe publikuar Raportin e Monitorimit të Sistemit të Integritetit për vitin 2025. Raporti ofron një pasqyrë të nivelit të krijimit dhe zbatimit të sistemit të integritetit në institucionet e sektorit publik, me fokus të veçantë në qeverinë qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale. Gjetjet e Raportit tregojnë zhvillime pozitive në disa segmente, por edhe nevojën për përmirësim të mëtejshëm, veçanërisht në zbatimin praktik të mekanizmave të vendosur dhe forcimin e kapaciteteve administrative, transmeton Portalb.mk.

“Gjetjet e Raportit tregojnë zhvillime pozitive në disa segmente, duke përfshirë përfshirjen në rritje të institucioneve, përmirësimin e politikave të brendshme dhe përdorimin më të madh të mjeteve për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit. Në të njëjtën kohë, Raporti gjithashtu thekson nevojën për përmirësim të mëtejshëm, veçanërisht në zbatimin praktik të mekanizmave të vendosur dhe forcimin e kapaciteteve administrative”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim, KSHPK rekomandon fokus më të madh në zbatimin praktik të ligjeve të konfliktit të interesave, krijimin e regjistrave të përjashtimeve, rregulla të qarta mbi dhuratat dhe mikpritjen, përmirësimin e kontrolleve në prokurimin publik, vlerësimin e rregullt të rreziqeve të korrupsionit dhe trajnimin e vazhdueshëm për punonjësit dhe menaxhmentin.

Raporti është publikuar në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror dhe u është dorëzuar institucioneve përkatëse, duke përfshirë Parlamentin, Qeverinë, Delegacionin e Bashkimit Evropian, Kabinetin e Presidentit të Republikës dhe institucionet nënshkruese të politikës së integritetit.

Kujtojmë se në Raporti i monitorimit i zbatimit të sistemit të integritetit për vitin 2024,  tregoi se monitorimi përfshiu 72 institucione nga pushteti qendror, 72 njësi të qeverisjes lokale, 16 institucione nga sektori i drejtësisë. Prej tyre vetëm 50 institucione të pushtetit qendror përmbushën detyrimin për plotësimin e pyetësorit.

Gjetjet kryesore të raportit, treguan se ka mungesë të akteve të brendshme për konflikt interesi – në 54% të institucioneve. Vetëm 52% e instituconeve kanë rregullore për dhurata dhe mikpritje. Niveli i ulët i monitorimit të pavarur të integritetit nga vetë institucionet dhe gjetje të tjera.