U përmbyll edicioni i 63 i Festivalit të Këngës: Triumfoi Shkodra Elektronike, për Elvana Gjatën u përsërit historia e vendit të dytë

Pas katër netëve emocionuese dhe plot magji muzikore, sipari i Festivalit të 63-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar u ul mbrëmë me një natë të paharrueshme. Shkodra Elektronike ishte fituesja e këtij edicioni me këngën “Zjerm”, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025. Ky grup mori 143 pikë, duke siguruar vendin e parë dhe mbështetje të madhe nga publiku dhe juria, transmeton Portalb.mk.

Elvana Gjata u rendit e dyta me këngën “Karnaval” dhe 135 pikë, ndërsa Alis mori çmimin e tretë me këngën “Mjegull”, duke marrë 59 pikë.

Ky edicion i Festivalit, një ngjarje kulmore për muzikën shqiptare, solli performanca të shkëlqyera dhe një konkurrencë të fortë mes artistëve, të cilët dhanë gjithçka për të fituar zemrat e publikut dhe jurisë.

Ky festival, i mbushur me emocione dhe ritme të paharrueshme, tregoi edhe një herë pasionin e madh për muzikën dhe talentin e jashtëzakonshëm të artistëve shqiptarë. Tashmë, Shkodra Elektronike do të përgatitet për sfidën e madhe në Eurovision 2025, duke sjellë me vete krenarinë dhe entuziazmin e shqiptarëve për të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare.

I ftuari special i natës së mbrëmshme ishte këngëtari i njohur nga Kosova, MC Kresha, ku emocionoi publikun artdashës me këngët e tij të njohura nga audienca. Performanca ishte një shfaqje e vërtetë e energjisë dhe magjisë së muzikës, duke e bërë këtë natë edhe më speciale.

Kjo ishte një natë ku magjia e muzikës, emocioni i fortë dhe energjia e një shfaqjeje spektakolare bashkoi për ta bërë të paharrueshme për të gjithë ata që patën mundësi të jenë pjesë e Festivalit të Këngës.

Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës ka qenë jo vetëm skenë e muzikës, por edhe tribunë me mesazhe të rëndësishme.

Një mesazh force dhe inkurajimi ishte ai që dha politikania Arta Dade për të gjitha gratë që të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre.

“Kurrë nuk është vonë për të qenë të suksesshme”, tha Dade, teksa shtoi se gratë e suksesshme i kanë ndryshuar fytyrën kësaj shoqërie, duke e bërë atë më të ndjeshme.

“Unë shpresoj që gratë e reja dhe vajzat e reja që kanë vendosur të ndjekin një udhëtim si i imi, t’ju kem ndikuar pak në këtë udhëtim. Shpeshherë në jetën tonë kthehemi në kujtimet e fëmijërisë dhe pyesim veten si ndodhi që u gjenda në një skenë? Dikush mund të pyesë si ndodhi që fitova garën kur isha e vogël me skuadrën e shkollës, ka të tjerë që pyesin si u ndjeva kur qepa fustanin e parë për veten time? Këto pyetje na çojnë te nënat”, ishte mesazhi që dha Dade.